Gara mes 2 kandidatëve, KLP zgjedh Drejtuesin e Prokurorisë së Vlorës

schedule18:14 - 3 Shkurt, 2022

schedule 18:14 - 3 Shkurt, 2022

Aurel Zarka është votuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës parë Vlorë.

Zgjedhja e tij është bërë gjatë mbledhjes së zhvilluar ditën e sotme. Zarka ka marrë 218 pikë përkundrejt kandidatit tjetër, prokurorit Albert Kuliçi i cili ka marrë 178 pikë.

Njoftimi i plotë i KLP

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka zhvilluar ditën e sotme, më 03.02.2022, seancën dëgjimore për përzgjedhjen e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë. Duke respektuar të gjithë detyrimin ligjor, dy (2) kandidatët e kualifikuar në këtë faze, ishin z. Albert Kuliçi dhe z. Aurel Zarka, të cilët kishin kaluar me sukses verifikimin e pasurisë dhe figurës.

Kandidimi i tyre dhe vlerësimi për secilin kriter të posaçëm, u miratua gjatë mbledhjes së datës 24.01.2022, me propozim të Komisionit të Zhvillimit të Karrierës. Kandidatët paraqitën platformën e tyre përpara Këshillit dhe në përfundim të secilit prezantim, ata iu përgjigjën pyetjeve dhe komenteve të bëra nga anëtarët e tij.

Në përfundim të prezantimeve respektive, Këshilli u tërhoq për të vazhduar më tej me procesin e pikëzimit dhe të votimit, për të miratuar më pas vendimin për renditjen e kandidatëve. Pas vlerësimit të 2 (dy) kandidatëve-prokurorë, Këshilli vendosi renditjen e kandidatëve, si vijon:

  1. z. Aurel Zarka     ( 218 pikë )
  2. z. Albert Kuliçi    ( 178 pikë )

Për tu informuar në lidhje me regjistrimin audio, klikoni këtu

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!