Rusia ka publikuar listën me objektivat amerikanë që do të sulmojë në rast të një agresioni bërthamor ndaj saj. Mes shënjestrave të raketave të Kremlinit janë edhe Departamenti i Mbrojtjes dhe një kompleks presidencial.
Televizioni shtetëror rus ka publikuar listën me bazat ushtarake amerikane që Moska do të sulmojë në rast të një sulmi bërthamor. I njëjti burim ka deklaruar se një raketë hiper-sonike që Rusia po zhvillon aktualisht do të jetë në gjendje t’i godasë ato në më pak se 5 minuta. Objektivat përfshijnë edhe Pentagonin, si dhe selinë presidenciale në Kemp Dejvit, në Merilend. Lajmi në televizion vjen pak ditë pasi presidenti Vladimir Putin deklaroi se Rusia ishte gati për një krizë të re raketash me Shtetet e Bashkuara si ajo e stilit kubanez. Me tensionet në rritje dhe shqetësimin e Kremlinit se Amerika mund të vendosë raketa bërthamore me rreze të mesme veprimi në Europë, Putin ka paralajmëruar se Moska do të reagojë duke vendosur raketat hiper-sonike bërthamore në nëndetëset e saj në afërsi të ujërave territoriale amerikane. Nga ana e tyre, Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar se nuk kanë në plan vendosjen e raketave të tilla dhe i kanë cilësuar paralajmërimet e Putin si një propagandë hipokrite. Dhe në fakt, aktualisht Uashingtoni nuk ka raketa bërthamore me bazë tokësore që mund t’i vendosë në kontinentin e vjetër. Sidoqoftë, vendimi për t’u tërhequr nga traktati bërthamor i vitit 1987 i hapë rrugë Shteteve të Bashkuara që të prodhojnë armatime të tilla./abcnews.al