Gara diplomatike/Rusia sfidon SHBA për shtrirjen e influencës në Karaibe

schedule17:45 - 31 Janar, 2018

schedule 17:45 - 31 Janar, 2018

Prirjet për të rivalizuar Shtetet e Bashkuara kanë bërë që Rusia të kthejë sytë në Karaibe, një rajon që e kishte braktisur që prej Luftës së Ftohtë. Këtë herë, Moska po kthehet atje me investime, diplomaci dhe pajisje ushtarake.

 

Me politikën e saj të jashtme, që sa vjen e bëhet më e sertë, Rusia po u afrohet gjithnjë e më shumë brigjeve të Amerikës. Me diplomaci, investime dhe pajisje ushtarake, Moska po kthehet në Karaibe, një rajon që e kishte braktisur që prej përfundimit të Luftës së Ftohtë. Konkretisht, në muajt e fundit Kremlini ka vendosur marrëdhënie në fusha të ndryshme me Grenadën, shteti i vogël që në vitin 1983 u pushtua nga amerikanët me urdhër të presidentit Reagan, për të parandaluar një tjetër revolucion majtist siç ishte ai i Kubës. Praninë në rritje të Rusisë në kompleksin e ishujve e konfirmon edhe Këshilli i Karaibeve, një kompani ligjore me bazë në Londër. Ndonëse këtë herë rivaliteti mes Uashingtonit dhe Moskës është më i vogël krahasuar me atë të Luftës së Ftohtë, që kulmoi me krizën e raketave bërthamore në Kubë, gara për shtrirjen e influencës mes dy superfuqive duket e pamëshirshme. Vitin e kaluar admirali Kurt Tidd, drejtues i Komandës Ushtarake Jugore të Shteteve të Bashkuara, deklaroi se Rusia po sfidon Amerikën për dominimin në hemisferën perëndimore. Dhe në fakt, Moska po përdor qasje të reja për të joshur rajonin e Karaibeve. Verën e kaluar qeveria e Grenadës hapi një ambasadë në Moskë, ndërsa në shtator, dy vendet i garantuan qytetarëve të tyre lëvizjen e lirë. Për autoritetet në ishull, ndërhyrja ruse ka të bëjë vetëm më investimet, tregtinë dhe turizmin./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!