Ekziston edhe një duel brenda sfidës së madhe.
Në Amerikën e Veriut nuk luftohet vetëm për të fituar kupën e botës, edhe pse kjo është ambicia kryesore, por gjithashtu edhe për Këpucën e Artë.
Flasim jo vetëm për titullin e shënuesit më të mirë të këtij turneu, por edhe të kësaj Këpuce të Artë për të gjitha kohët.
Në garë janë dy yje të mëdhenj, të cilët zbritën në fushë në ndeshjet e fundit.
Lionel Mesi dhe Kilian Mbape e treguan sërish nga çfarë brumi janë gatuar, sepse jo vetëm realizuan, por edhe janë pranë majës.
Argjentinasi, kampion I botës në fuqi, ishte I jashtëzakonshëm që në paraqitjen e tij të parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Pleshti” shënoi tri herë, duke arritur vendin e parë të të gjitha kohëve, pra Miroslav Klosen e Gjermanisë, të dy me nga 16 rrjeta.
Natyrisht, që ka një diferencë, pasi Klose ia doli në 24 ndeshje, ndërsa “magjistari” I topit në 27, ndonëse duhet thënë se Mesi nuk është një sulmues tipik si gjermani.
Mbape, ndërkaq, është njeriu I projektuar për të qenë numri 1, pra Këpuca e Artë e së ardhmes shumë të afërt, ndoshta që në përfundim të kësaj Kupe të Botës.
Kapiteni I Francës goditi dy herë në shenjë, madje në një ndeshje të vështirë si ajo ndaj Senegalit, duke treguar klasin e madh dhe faktin se është në kulmin e formës.
Me 14 gola, ylli I Realit është vetëm dy goditje prapa Kloses e Mesit, e duke qenë vetëm 27 vjeç ndaj 38 të argjentinasit, mund të thuhet se kjo lavdi do t’i përkasë atij.
Për momentin, përpara tij është ish-Fenomeni brazilian, Ronaldo, me 15 gola, ndërsa Mbape është baraz me Gerd Mylerin, edhe pse “Bomberi gjerman i Kombit” ka një veçanti që as Kilian nuk e ka.
Myler ka 14 gola në 13 ndeshje, me mesataren 1.03 gola për ndeshje, ndërsa Mbape I ka në 15, pra me mesataren 0.93 gola për ndeshje.



