Alpin Gallo, pjesë e përhershme e emisionit “Pressing” në ABC, nuk i kursen elozhet për Vllazninë, ekipi që kryeson Kategorinë Superiore. Vlerësim maksimal edhe për Thomas Brdaric, i cili po bën një punë fantastike në drejtimin e shkodranëve, teksa i ka dhuruar edhe një identitet të qartë loje kuqebluve.
“Një Vllazni që duhet të falënderohet për mënyrën sesi luan. Ishte një Vllazni mjaft e shpejtë ndaj Kastriotit, edhe pse terreni ishte i rënduar. Një Vllazni e vendosur shumë mirë në fushë, një trajner që është kërkues, jo vetëm në aspektin tekniko-taktik, por edhe atë fizik.
Dallohet edhe në minutat e fundit kur skuadrat lodhen, ndërsa Vllaznia sulmon dhe del mirë përpara. Dalin mirë në sulm, luajnë mirë nga krahët, ruan ekuilibrat, ka gjetur një mënyrë që i bën mirë të dy fazat e lojës.
Një punë e mirë, e ndërtuar nga trajneri në mënyrë profesionale. Kemi parë edhe trajnerë të tjerë të huaj, të cilët nuk e gjejnë frymën e duhur dhe bashkëpunimin, por te Vllaznia po funksionon“, deklaron Gallo. /abcnews.al