“Futbolli s’ka miq, i theva këmbën vëllait! Shqipëria e bekuar me bukuri”

schedule14:57 - 14 Gusht, 2020

schedule 14:57 - 14 Gusht, 2020

Agustin Kola, trajneri i kombëtares së 17-vjeçareve, ka qenë pjesë e emisionit “Edicioni Veror” në ABC News. Ish-sulmuesi i Tiranës, flet për çështje të ndryshme dhe fillimisht e nis me futbollin dhe respektin për kundërshtarët, ndër vite.

“Kundërshtarë ishim në fushë, aty te e gjelbra. Pas ndeshjes ishim miq. Armiq në fushë, miq jashtë. Sporti është luftë, me vëllanë isha kundërshtar në lagje dhe i kam thyer këmbën. Pastaj mbaron ndeshja dhe mbyllet gjithçka”, shprehet Kola, i cili po i kalon pushimet në Divjakë. Jo për herë të parë, por kthehet aty pas shumë vitesh.

“A ka gjë më të bukur se Shqipëria?! Na ka dhënë Zoti një vend të bukur. Kam dalë jashtë vendit, por ne kemi një vend që nuk e ka kush. Do ju tregoj një histori, të vitit 1992. Luajta pesë vite në Greqi, në kohën e demokracisë. Prita zëvendëspresidentin në Rinas dhe e shëtita nga Tirana e deri në jug. Sa kaluam në Llogara, bërtiti ‘mbaje, mbaje’.

Çfarë ke i thashë unë dhe m’u kthye: ‘Jeni të çmendur, keni detin, malin ngjitur. Ne bëjmë kilometra për të shkuar. Edhe vini e punoni për ne’. U çudit nga vendi ynë. Divjaka ishte kamp punëtorësh, sot më duket si të jem në vendet tropikale. Shikoni perëndimin, çfarë na ka dhënë Zoti. Është hera e parë që vi dhe u çudita me këtë mrekulli. Edhe shqiptarët janë të zgjuar dhe dinë të bëjnë diçka. Sot çuditem me këtë vend”, tregon ish-sulmuesi, gjatë bisedës me gazetarin Eni Shehu.

Më pas sërish te futbolli dhe më konkretisht te Tirana: “Është meritë e ekipit, Tironës, titulli kampion. Ka meritë shumë presidenti Halili, ekipi, trajneri Egbo tek i cili nuk kishin shumë besim, por është profesionist. Pas gjynaheve të para tre viteve, u mor titulli. Ishte festë e madhe. Isha ndeshjen e fundit në stadium. Nuk luhet pa tifozë. Nuk ka kuptim pa tifozë. Ata ta japin moral, edhe nëse të shajnë apo të lavdërojnë. Nuk mund të bëhet koncert pa spektatorë”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!