Vota ‘dominon’ ndaj futbollit/ Vllaznia–Egnatia luajnë sonte për titullin kampion, KQZ: Numërimi nuk ndërpritet

schedule19:49 - 12 Maj, 2025

schedule 19:49 - 12 Maj, 2025

Ndeshja Vllaznia – Egnatia, për titullin kampion të Superiores nuk do të pezullojë numërimin të votave në Shkodër. Gazetarja Fabiola Hoxha tha për ABC News se komisionerët në qendrat e numërimit kanë kërkuar pushim, gjatë orarit të ndeshje për të ndjekur ekipin e zemrës në ndeshjen decizive për titull, por KQZ ka refuzuar një gjë të tillë, duke theksuar se për asnjë arsye nuk duhet të ndalojë numërimi i votave.

Egnatia dhe Vllaznia do të përplasen në “Arenën Kombëtare” për titullin kampion të Shqipërisë. Dy skuadra të forta, dy filozofi të ndryshme loje, por një objektiv të përbashkët; kurorën e sezonit 2024/25.

Egnatia vjen si kampione në fuqi dhe kërkon të përsërisë suksesin, ndërsa Vllaznia synon rikthimin e madh në majat e futbollit shqiptar. Përballjet direkte mes tyre gjatë këtij sezoni tregojnë një ekuilibër të plotë, që e bën finalen edhe më të paparashikueshme.

Në katër ndeshjet e kampionatit, të dyja skuadrat kanë nga një fitore dhe dy barazime:

Egnatia 2 – 2 Vllaznia

Vllaznia 0 – 2 Egnatia

Egnatia 1 – 1 Vllaznia

Vllaznia 3 – 1 Egnatia

Të dyja ekipet kanë treguar se mund të fitojnë ndaj njëra-tjetrës dhe finalja e së hënës pritet të jetë një ndeshje e fortë, ku detajet do të bëjnë diferencën./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!