Futbolli humb një yll të ri me origjinë shqiptare

schedule16:15 - 27 Nëntor, 2017

schedule 16:15 - 27 Nëntor, 2017

Futbolli ka humbur një talent të vërtetë me origjinë shqiptare. Sinan Bytyqi, i përzgjedhuri i Pep Guardiolës, u detyra të braktiste karrierën.

Gjithçka nisi më së miri.
Sinan Bytyqi ishte një tjetër shqiptar i Kosovës, i destinuar për të bërë emër në futbollin europian, veçse kjo histori nuk pati fund të lumtur.
I lindur në Prizren, 22 vjet më parë, i rritur si lojtar në Austri, ai gjeti ekipin e ëndrrës, Mançester Sitin, një fantazi e prerë në mes nga një sëmundje e papritur.
Bytyqi u diagnostikua me kardiomiopati hipertrofike dhe mjekët deklaruan prerë se do të rrezikonte jetën nëse vazhdonte futbollin profesionist.
Një mëkat i vërtetë dhe një dhimbje e madhe për një djalë tepër të talentuar.
Siti e mori në shtator të 2014-s, si një shpresë e madhe ende 18-vjeçare, shpejt pasi Bersant Celina ishte bërë shqiptari i parë me kontratë profesioniste në klubin anglez.
Bytyqi e tregoi menjëherë veten me ekipet e moshave duke shënuar gola e duke ndihmuar për të arritur fitore.
Në një moment, ai u mbiquajt Dejvid Bekami i ri, këtë herë jo për Mançester Junajtidin, por për Mançester Sitin.
Për të fituar përvojë, ai u huazua në Holandë tek Kamburi ku luajti për herë të parë si profesionist, si dhe tek Go Whed Igëllsi.
Jo vetëm kaq, por ai shkëlqeu edhe për ekipet kombëtare të moshave të Austrisë, duke luajtur 19 ndeshje e duke shënuar 10 gola në nivelet U17, U18, U19 e U21.
Në 2 tetor 2016, Bytyqi u bë pjesë e ekipit përfaqësues të Kosovës, duke qenë në stol në dy ndeshjet eleminatore të Botërorit ndaj Kroacisë dhe Ukrainës.
Trajneri i Sitit, Pep Guardiola, po e ndiqte Sinanin dhe e kishte marrë shënim emrin e tij.
Katalanasi madje shkoi në Holandë ku e takoi Bytyqin duke e inkurajuar të vazhdonte në ato nivele, pasi shpejt do të ishte pjesë e skuadrës së parë të Sitit.
Kjo nuk ishte e thënë të ndodhte.
Gjithsesi, klubi anglez nuk e braktisi shqiptarin e Kosovës, duke e caktuar në rolin e gjahtarit të talenteve.
Ende jo 23 vjeç, ai do të gjejë yje të rinj dhe do t’i ndihmojë që të realizojnë atë ëndërr që për të u bë e pamundur./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!