Në karrierë arriti kulme. Kosovare Asllani është padyshim një nga emrat më të njohur të futbollit të femrave, dhe ende luan ndonëse ka kaluar moshën 35-vjeçare.
Sulmuesja suedeze, me origjinë shqiptare nga Kosova, që ka veshur në karrierë fanelën e Realit, Milanit, Mançester Sitit apo Paris SG, ishte e ftuar në mbrëmjen e ndarjes së çmimeve Laureus në Madrid, dhe aty bëri një reflektim për gjendjen e futbollit të femrave.
“Vajzave të sotme u them që të luajnë futboll, sepse mund të jetohet me futbollin. Them se duhet të kenë besim tek vetja, dhe të mos dëgjojnë njerëzit që u thonë të kundërtën, sepse ka shumë komente negative për futbollin e femrave. Kjo sepse ne gjithmonë na krahasojnë me futbollin e meshkujve. Ky është një nga sportet e pakta ku krahasohen meshkujt me femrat. Në tenis asnjëherë nuk thuhet që Rafael Nadal është më I mirë se një teniste femër. Ne duhet ta shijojmë sportin kështu siç është, edhe ne femrat, edhe meshkujt për pjesën e tyre”.
Asllani ka shënuar 122 gola në 294 ndeshje me ekipet e klubeve, dhe 48 gola për kombëtaren e Suedisë për femra në 196 ndeshje.
Ajo ka dalë dy herë nënkampione olimpike me Suedinë, dhe ka fituar medaljen e bronzit në Botëror.
Ka dalë kampione në Angli dhe ka fituar Kupën e Anglisë, dy herë kampione e Suedisë dhe është shpallur futbollistja suedeze e vitit në 2017./abcnews.al