Fushata elektorale në SHBA, Trump sulmon Biden për masat anti-Covid

schedule08:31 - 30 Tetor, 2020

schedule 08:31 - 30 Tetor, 2020

Covid-19 është bërë një ndër diskutimet më të mëdha në fushatën elektorale të zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përballjet politike midis Donald Trump dhe kundërshtarit të tij Joe Biden marrin fund në 3 nëntor duke përfunduar kështu edhe fushatën elektorale me më shumë përplasje në dyzet viteve të fundit.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë gjatë një tubimi në Arizona sulmoi rivalin e tij duke thënë se të votosh për Biden do të thotë të mos dërgosh fëmijët në shkollë, të privosh studentët të marrin diplomat, të jetosh pa dasma, pa Falënderime dhe pa Krishtlindje.

Ndërsa Biden përmes një postimi në twitter u ka premtuar mbështetësve të tij një luftë të ashpër kundër virusit, duke treguar se nuk ka një shkop magjik për ta luftuar atë. “Unë nuk e paraqes veten me premtimin e rremë për t’i dhënë fund Covid-19. Por ju premtoj që nga dita e parë ne do të bëjmë gjërat e duhura, do të sigurohemi që shkenca të udhëheqë rrugën drejt një zgjidhje”-shkroi kandidati demokrat.

Presidenti në detyrë po vijon fushatën e tij duke realizuar deri në tre tubime në ditë, gjithmonë me shumë njerëz dhe pa asnjë masë mbrojtëse apo distancim social. Ndërsa Biden ka realizuar tubimet e tij me grupe të kufizuara të mbështetësve duke ruajtur distancë nga njëri-tjetri. Skeptikët qëndrojnë me republikanët, ndërsa mbështetësit konservatorë të kufizimeve janë me demokratin.

Ndërkohë një sulm hakerash në arkat e republikanëve në Wisconsin ka vjedhur  2.3 milion dollarë nga llogaria e përdorur për të financuar fushatën e rizgjedhjes së Trump.  Lajmi u bë i ditur nga kreu i partisë në pushtet, Andrew Hitt, i cili tha se një aktivitet i dyshimtë ishte vërejtur më 22 tetor. Ai theksoi se ky incident i vë Republikanët në një disavantazh financiar ndërkohë FBI po heton mbi rrethanat e ngjarjes.

Mbi 75 milion amerikanë kanë votuar tashmë paraprakisht. Sipas shifrave këto mund të jenë zgjedhjet me pjesëmarrjen më të lartë në mbi një shekull në Shtetet e Bashkuara. Ndërkohë ne sondazhe kryesohen nga Demokratët edhe pse sipas mediave diferenca mes kandidatëve është ngushtuar./abcnews.al