SKRAPAR- Qyteti i Skraparit ishte destinacioni i radhës i takimeve të socialistëve në kuadër të fushatës zgjedhore të 11 majit.
Kryesocialisti Edi Rama u shpreh se mandatin tjetër do të nisin punimet për ndërtimin e rrugës Berat-Skrapar dhe distanca mes tyre nuk do jetë më shumë se 30 minuta.
Ky investim theksoi Rama do të nxisë zhvillimin dhe investimet e zonës.
“Rruga Berat-Skrapar do fillojë mandatin tjetër. Do të përshkohet për 30 minuta dhe kjo do të nxisë zhvillim. Me fillimin e punës për rrugën e re menjëherë do të shtohen vlerat e tokës dhe pasurive këtu dhe menjëherë ata që kanë ikur do të kthehen për të investuar.
Paketa e maleve është një program që i shkon më së miri kësaj zone. Në këtë mandat të katërt për Skraparin, do bëjmë më shumë seç kemi bërë në mandatet e tjera”, tha ai.
Shefi i socialistëve theksoi se më 11 maj duhet një votë e vendosur për ta çuar Shqipërinë sa më shpejt në Bashkimin Evropian.
“Më 11 maj, të gjitha ata që kanë një votë, do shkojnë në zgjedhje në një takim me historinë.
Duhet të bëhemi sa më shumë, sa më të bashkuar për të vendosur me votën tonë krijimin e një fuqie edhe më të madhe vendimmarrëse, me qëllim që kjo mundësi që na është krijuar, dera që na është hapur me BE, ta shfrytëzojmë dhe të mbyllim negociataT brenda 2027.
Më 11 maj të shtyjmë Shqipërinë në BE dhe të thajmë kënetën, që është bërë një pengesë e vazhdueshme e këtij vendi”, theksoi ai./abcnews.al

