“Shqipëria po përjeton një nga sezonet më të mira turistike“. Vlerësimi vjen nga revista prestigjioze “Financial Times” e cila veçon natyrën shqiptare dhe shkruan se përtej turizmit të detit vendi ynë po bëhet i njohur edhe për turizmin e aventurës në malet e saj. “Financial Times” shkrimin e shoqëron me një foto të muzgut në liqenin e Bizës.
Konsiderata e revistës prestigjioze publikohet nga ministri i Mjedisit dhe Turizmit Blendi Klosi në rrjetin social facebook, ku e cilëson shkrimin e “Financial Times” si vlerësimin e radhës nga mediat e huaja për turizmin në Shqipëri. Sipas ministrit Klosi, qeveria shqiptare ka ndjekur këtë vit një politikë fiskale nxitëse për turizmin elitar dhe agroturizmin për të nxitur turizmin alternativ si një mbështetje e fortë për turizmin klasik të detit. /abcnews.al