“Fshehja” e viktimave, Basha: Përgjegjësi e Ramës, të pranojë hetim të plotë për çështjen

schedule20:40 - 21 Nëntor, 2020

schedule 20:40 - 21 Nëntor, 2020

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha i është kundërpërgjigjur kryeministrit Rama me një deklaratë të shkurtër, sa i përket akuzave për fshehje të numrit real të viktimave nga Covid-19.

Në fjalën e tij, Basha u shpreh se kryeministri vazhdon të gënjejë dhe t’i ikë përgjegjësisë. Sipas kryedemokratit, mashtrimi me shifrat zyrtare është përgjegjësi e Ramës, “jo e mjekëve që po sakrifikojnë gjithçka në këtë betejë.” Ai shtoi se nëse nuk ka gjë për të fshehur, Rama duhet të pranojë direkt një hetim të plotë të të gjithë informacioneve që, sipas tij, janë fshehur.

Lexo edhe: “Fshehja e viktimave e fotot nga morgu”, Rama: Veprime jonjerëzore, si mund të bini kaq poshtë?

Basha e akuzoi kryeministrin se në vend që t’u vijë në ndihmë qytetarëve, Rama vijon me “sulmet politike dhe gënjeshtrat.”

Deklarata e plotë

“Shqiptarët prisnin sot përgjigje. Por Rama vazhdon të gënjejë dhe t’i ikë përgjegjësisë. Ai ka gënjyer në lidhje me numrat e viktimave. Nuk janë shifra, por janë qytetarë, janë nëna, baballarë që kanë humbur jetën. Pasi i ka braktisur dhe i ka lënë pa asnjë mbështetje mjekët dhe infermierët në frontin e përballjes me pandeminë, ai po i keqpërdor ata.

Mashtrimi me shifrat zyrtare është përgjegjësi e Ramës, jo e mjekëve që po sakrifikojnë gjithçka në këtë betejë. Ai ka braktisur shqiptarët dhe familjet e tyre, për të cilat nuk jep asnjë mbështetje financiare nga qeveria. Rama po shpërfill dhimbjen dhe vuajtjet e qytetarëve, që kanë nevojë për ndihmë. Njerëzit po vdesin përditë. Spitalet po kolapsohen. Biznesi po falimenton. Varfëria dhe papunësia po rriten. Në vend që të ndihmojë shqiptarët, në vend që të përballet me të vërtetën dhe realitetin, Rama vazhdon avazin e sulmeve politike dhe gënjeshtrave.

Nëse nuk ke asgjë për të fshehur, prano direkt një hetim të plotë të të gjithë informacioneve që jo mjekët, por ti, ke fshehur në lidhje me viktimat e COVID-19. Boll u fshehe pas gënjeshtrave dhe sulmeve politike. Jepu përgjigje të vërteta qytetarëve të Shqipërisë.”