Një pallat pranë ish-Kinema 17 Nëntorit në Tiranë, ka krijuar frikë tek banorët dhe bizneset. Një biznesmen thotë se mund të ketë dëmtime dhe se ende nuk është bërë vlerësimi nga ana e Bashkisë.
Në pamje të parë nuk duket ndonjë tmerr i madh.
Gjithsesi, kjo ndërtesë pranë ish-Kinema 17 Nëntorit në Tiranë ka shqetësuar banorët, lokalet aty pranë, dhe një pronar që ka biznesin ngjitur me të.
Nuk është thjesht rënia e pllakave të fasadës që tremb, edhe pse ajo mund të rezultonte fatale, por një problem tjetër, në pjesën anësore të pallatit.
Pyetja e parë në raste të tilla është, a kanë ardhur specialistë të bashkisë, apo specialistë të tjerë kompetentë për këto raste?
Me sa duket ende jo.
Policia rrethoi vendin e rënies së pllakave, duke mos lejuar që qytetarët të kalonin në trotuarin e atyshëm, për të mos iu rrezikuar jeta.
Nga Bashkia pati një interesim të një punonjëseje, por ende nuk është vlerësuar gjendja e ndërtesës dhe rrezikshmëria që mund të paraqesë ajo./abcnews.al