Në Francë do të manifestohet përsëri me 1 dhjetor për të kundërshtuar rritjen e çmimit të karburantit. Ndërkohë, Trump e shfrytëzoi protestën e së shtunës për të kërkuar që të manifestohet dhe kundër BE-së.
Pas dhunës dhe 130 të arrestuarve në protestën e së shtunës në Paris, “Jelekët e Verdhë” kanë lëshuar një apel për një demonstratë të madhe më 1 dhjetor, gjithmonë në kryeqytetin francez. Në Facebook, lëvizja njoftoi se kishte kaluar “në aktin e tretë”, duke i kërkuar Presidentit Emmanuel Macron “fuqi më të madhe blerëse dhe, për më tepër, anulimin e taksave mbi karburantin. Në të kundërt “en marche” apo thënë në shqip do të marshohet drejt dorëheqjes së Macron.
“Protestat e mëdha dhe të dhunshme franceze nuk e konsiderojnë sa keq Shtetet e Bashkuara janë trajtuar në fushën e tregtisë nga Bashkimi Evropian, ose në pagesat e duhura dhe të arsyeshme për mbrojtjen tonë të madhe ushtarake. Të dyja këto çështje duhet të trajtohen sa më parë”. Kështu u shpreh Presidenti amerikan, Donald Trump, me anë të një mesazhi në tuiter, duke iu referuar protestave të “jelekëve të verdhë” në Francë.
Ndërkohë, të shtunën rreth 100 mijë qytetarë manifestuan në të gjithë Francën kundër rritjes së çmimit të karburantit. Shumica e tyre përfunduan në mënyrë të qetë. Ndërsa në Paris, ku ishin mbledhur rreth 8 mijë persona, manifestimi degjeneroi në dhunë kundër agjentëve të policisë. Ndërsa këta të fundit u përgjigjën me gaz lotësjellës dhe me ndërhyrje me forcë. Nga të dyja anët pati të lënduar./abcnews.al