Franca propozon një dialog të drejtpërdrejtë midis Bashkimit Europian dhe Rusisë për sigurinë në Evropë, tha sot nënsekretari i Shtetit për Çështjet Evropiane Clement Bonn.
“Si Bashkim Europian, ne duhet të kemi propozime, një dialog të organizuar dhe të rregullt me Rusinë,” tha ai në një intervistë me disa media. Sipas Clement Bon, presidenti rus Vladimir Putin favorizon dialogun me Shtetet e Bashkuara, sepse “ai të kujton Luftën e Ftohtë dhe përplasjen e superfuqive”, ndërkohë që e lejon atë të përçajë evropianët.
“Ajo që duhet të bëjmë është të qëndrojmë të bashkuar si perëndimorë, të jemi të pranishëm si evropianë. A po bën mjaft BE-ja? Ndoshta jo sot”, tha ai.
Presidenti francez Emmanuel Macron ka bërë thirrje tashmë për një dialog midis BE-së dhe Rusisë “mbi rendin e ri të sigurisë në Evropë” të mërkurën, duke ngritur shqetësime në Shtetet e Bashkuara, të cilat i frikësohen një përçarjeje brenda NATO-s.
“Ndarja do të ishte dhurata më e mirë që mund t’i bënim Rusisë,” tha sot Clement Bonn. Ai kujtoi se aktualisht Parisi dhe Berlini po përpiqen të riaktivizojnë rolin e tyre ndërmjetësues midis Rusisë dhe Ukrainës në kuadrin e “skemës së Normandisë”. Pa dhënë detaje të mëtejshme, nënsekretari foli për “iniciativa” dhe një kontakt të ri mes presidentëve Macron dhe Putin “në ditët në vijim”. g.v/abcnews.al