Ekipi përfaqësues i Francës është më i shtrenjti nga të gjithë finalistët e Kupës së Botës në Rusi. Ajo kalon vlerën 1 miliardë euro dhe lë prapa Spanjën.
Nuk ka kampionat tjetër që të matet me atë të Spanjës, por si kombëtare e para është një tjetër. La Liga dominon Botërorin e Rusisë me plot 80 futbollistë, veçse kombëtarja iberike është e detyruar të kënaqet me vendin e dytë.
Kryeson Franca, edhe pse jo me diferencë të madhe. Të mbiquajturit “gjelat” kushtojnë gjithsej 1.08 miliardë euro, duke pasur në ekip futbollistë tepër të shtrenjtë si Pogba, Dembele, Grizman, Varan, Ymtiti, Zhiru apo Mbape.
Kjo vlerë financiare tani pritet që të confirmohet në fushë, pas eleminimit në çerekfinale në Kupën e Botës në Brazil, dhe në gjysmëfinale në Europianin e fundit. Spanja e trajnerit Lopegeti vlerësohet si e dyta, dhe është shumë pranë francezëve.
Vlera e “Furive të Kuqe” arrin në 1.04 miliardë euro. Në radhët e tyre luajnë Iniesta, Ramos, Pike, Buskets, De Gea, Zhordi Alba, David Silva, Isko, Asensio, Tiago apo Diego Kosta.
Në vend të tretë është Brazili i Nejmarit, që zbret poshtë tavanit 1-miliardësh. Pesë herë kampionët e botës vlerësohen në 950 milionë euro në shumën totale të kartonëve të lojtarëve si Nejmar, Kutinjo, Firmino apo Marselo.
Nuk mbetet shumë prapa Anglia, skuadra e shpikësve të futbollit, por që nuk ka fituar kurrë Botërorin me përjashtim të vitit 1966. Anglezët janë disi më modestë, me shumë pak emra të mëdhenj, me përjashtim të Harri Kejnit, dhe vlera gjithsej shkon në 874 milionë euro.
Kampionia e Botës, Gjermania, vlerësohet në 872 milionë euro dhe padyshim ka yje futbolli si Nojer apo Ter Shtegen, Kros, Rojs, Humels apo Tomas Myler.
Vazhdojnë Belgjika dhe Argjentina e Mesit, ndërsa shumë më prapa Portugalia e Kristiano Ronaldos. /abcnews.al