Video/Shkodër, ekzekutohet me tre plumba në kokë në makinën e tij një 32 vjeçar

schedule12:01 - 17 Dhjetor, 2017

schedule 12:01 - 17 Dhjetor, 2017

Një ekzekutim mafioz ndodhi në periferi të Shkodrës. Viktima është një 32 vjeçar që sapo kishte dale nga burgu me kusht, i dënuar për trafikim të lëndëve narkotike.

Me tre plumba në kokë u ekzekutua brenda në makinën e tij një i ri nga Shkodra.

Anxhelin Shkambi ishte në lëvizje me mjetin tip Benz pranë zonës së varrezave të Stom Golemit, në periferi të Shkodrës.

Nuk dihen ende rrethanat, por autori e ka qëlluar me pistoletë nga një distancë e afërt.

Të dhënat e para tregojnë se viktima është një person me precedent penal i akuzuar për trafik lëndësh narkotike dhe vetëm kohë më parë kishte dale nga burgu me kusht.

Në vendngjarje janë gjetur dhe sekuestruar tre gëzhoja pistole. Dy gëzhoja u gjetën brenda në krahun e pasagjerit, kurse një gëzhojë jashtë makinës.

Kjo ka ngritur dyshimet që autori mund të ketë qenë brenda me viktimën në makinë.

Një dëshmitar i tha policisë se ka parë një burrë duke vrapuar nëpër rrugica. Vetë Shkambi kishte vetëm minuta që ishte nisur nga banesa e tij në Grudë në drejtim të Shkodrës.

Sipas policisë janë ngritur pika kontrolli si dhe po bëhet krehja e zonës me qëllim kapjen e autorëve.

Në mbështetje të forcave të rendit dhe të krimeve janë vënë dhe ato speciale./abcnews.al