Forcat ukrainase zmbrapsin 14 sulme në Donetsk dhe Luhansk gjatë 24 orëve të fundit

schedule09:57 - 30 Prill, 2022

schedule 09:57 - 30 Prill, 2022

Ukraina ka deklaruar se forcat e saj vazhdojnë t’i rezistojnë sulmeve ruse në disa fronte, pavarësisht dëshmive se njësitë e reja ruse po kalojnë kufirin. Ukraina theksoi gjithashtu se artileria ruse ka shënjestruar fshatrat afër kufirit në verilindje të vendit, sipas CNN.

Vlerësimi, i cili erdhi nga komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Ukrainës, nxorri në pah se forcat ruse vazhdojnë të forcojnë praninë e tyre në zonën e Izium në Ukrainën lindore.

Ai tha se përpjekjet e fundit të forcave ruse për të depërtuar në zonën e Izium ishin rezistuar, por ato vazhduan të bënin një ofensivë drejt qytetit të Lyman – një qendër e rëndësishme hekurudhore, e cila u godit nga artileria ruse të premten.

Shtabi i Përgjithshëm tha se ishin raportuar luftime të ashpra rreth Rubizhne dhe Popasna, dy qytete që rusët janë përpjekur të marrin për disa javë. Ai pretendoi se një avion rus ishte rrëzuar.

Gjithsej, 14 sulme të armikut u zmbrapsën në rajonet Donetsk dhe Luhansk gjatë 24 orëve të fundit, tha ushtria ukrainase. Serhiy Hayday, kreu i administratës ushtarake rajonale të Luhansk, tha se dy shkolla dhe 20 shtëpi u shkatërruan të premten ndërsa rusët vazhduan sulmet e tyre në Rubizhne dhe Popasna.

Hayday tha se 31 persona ishin evakuuar nga Popasna, por forcat ruse kanë qëlluar dy autobusë me të evakuuar dhe që atëherë nuk dihet se çfarë ka ndodhur me personat që ndodheshin në autobus.

Mykola Khanatov, kreu i Administratës Ushtarake-Civile të qytetit Popasna, tha se shoferët ishin vullnetarë.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!