Forbes publikon listën e grave më të fuqishme në 2023

schedule14:38 - 6 Dhjetor, 2023

schedule 14:38 - 6 Dhjetor, 2023

Si çdo vit në dhjetor, revista Forbes ka publikuar listën e grave më me ndikim në vitin 2023, ku janë të përfshira emra të shumtë nga bota e politikës, ekonomisë dhe showbizit.

“Si gjithmonë, lista në vitin 2023 u përcaktua nga katër faktorë kryesorë. Paraja, media, influenca dhe sfera e ndikimit. Për liderët politikë, u morën në konsideratë GDP-ja dhe popullsia”, tha Forbes.

Lista e grave më të fuqishme të këtij viti, kryesohet nga presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.

“Ajo u emërua Presidente e KE-së në korrik 2019. Ajo është gruaja e parë që mban atë post dhe është përgjegjëse për ligjet që prekin më shumë se 450 milionë europianë”, thuhet në njoftim.

Interesant  është dhe fakti se presidentja e Bankës Qendrore Europiane, Christine Lagarde, është në vendin e dytë.

“Më 1 nëntor 2019, ajo u bë gruaja e parë në krye të Bankës Qendrore Europiane. Si drejtuese e politikës monetare europiane, Lagarde përballet me sfida të shumta”, theksoi Forbes.

Vendin e tretë në listë e zuri zëvendëspresidentja e SHBA-së, Kamala Harris dhe e katërta kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni.

“Rritja e Melonit në pushtet ishte e pabesueshme dhe ndikimi i saj është i dukshëm si në Itali ashtu edhe në arën ndërkombëtare. Pozicioni i saj në renditje dëshmon për mbështetjen e saj politike dhe aftësinë për të lundruar në botën komplekse të politikës globale”, thuhet nga Forbes.

Në vendin e 5-të është këngëtarja me famë botërore Taylor Swift, duke lënë pas Beyonce, e cila është në vendin e gjashtë.

/abcnews.al