“For her”, “Prifest” i kushtohet Vjosa Berishës, Veliaj: I premtova që do merrja pjesë

schedule15:43 - 21 Shtator, 2022

schedule 15:43 - 21 Shtator, 2022

Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Prishtinë çeli mbrëmë edicionin e 14-të të tij. Hapjes së këtij edicioni i parapriu një performancë artistike dedikuar themelueses dhe drejtoreshës së këtij festivali, Vjosa Berisha, e cila u nda nga jeta në qershor të këtij viti.

Në çeljen e këtij festivali i pranishëm ishte dhe  kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

“Unë besoj që sot është një ditë e madhe reflektimi për ne. Mbaj mend vjet në edicionin e fundit, isha rastësisht në Prishtinë, shoqja ime e ngushtë Vlora Çitaku, më thotë: “Do t’i bëjmë një surprizë Vjosës, sepse është festivali”. I premtova: “Vjosë, një gjë kaq e bukur, nuk mund të ndodhë pa u përfshirë Tirana”. Kështu që sot jam këtu që të mbaj fjalën që i dhashë Vjosës, që ne do të përfshiheshim në edicionin e radhës dhe besoj që në vitin kur Tirana është Kryeqyteti Europian i Rinisë nuk mund të mos mungonim. Besoj fort që ajo që është një histori suksesi në Prishtinë, është edhe suksesi ynë në Tiranë. Ajo që është një gjë e bukur në Tiranë, është edhe suksesi i Prishtinës.”

Pjesë e këtij edicioni do të jetë edhe një program special i festivalit të filmit të Odesës.

“Përgjatë edicioneve të mëparshme PriFilm Fest na ka sjellë filmat më cilësorë nga vende të ndryshme, si dhe kineastë, regjisorë e aktorë të famshëm nga vende si Amerika, Australia Britania, e po ashtu nga rajoni ynë. Sivjet po me nismën e Vjosës PriFilm shkon edhe një hap tutje, me Festivalin ndërkombëtar nga Odesa me moton “Përtej Kufijve, Odesa në PriFest”, për shkak të luftës absurde në Ukrainë, po e hap edicionin e vet këtu në Prishtinë në bashkë-organizim me PriFilm Fest. Miq të dashur të Ukrainës, këtu në Prishtinë jeni në shtëpinë tuaj,” u shpreh kryetari i Bashkisë së Prishtinës, Përparim Rama.

Dhjetëra filma shqiptarë dhe të huaj do të shfaqen në disa kategori garuese të këtij festivali. Me moton “For Her”, ky edicioni i kushtohet themelueses dhe drejtoreshës së këtij festivali, Vjosa Berishës. Çmimi kryesor i festivalit  “Hyjnesha e kuqe për filmin më të mirë Ballkanik”, nga ky vit do të mbajë emrin e saj. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!