Fluks në portin e Durrësit, emigrantët drejt Shqipërisë për pushime

schedule10:40 - 31 Korrik, 2018

schedule 10:40 - 31 Korrik, 2018

Këtë periudhë në të gjitha pikat e kalimit kufitar është shtuar numri i shqiptarëve që vijnë në vendin tonë për pushime. Në portin e Durrësit për të përballuar fluksin janë dyfishuar sportelet dhe punojnë 18 tragete.

Është dyfishuar numri i sporteleve në Portin e Durrësit. Fundi i Korrikut ka shtuar numrin e udhëtarëve që hyjnë në vendin tonë, nëpërmjet kësaj pike kufitare. Përgjatë 48 orëve të fundit, nga ky port kanë hyrë mbi 19 mijë pasagjerë, si dhe 7100 automjete.

Në punë për transportimin e udhëtarëve janë 18 tragete. Për të përballuar fluksin në rritje Policia e Kufirit, dogana si dhe kapiteneria e portit detar, po punojnë me kapacitet të plotë. Numri i sporteleve për kontrollin e dokumentacionit është dyfishuar.

Kurse  kompanitë e lundrimit shtojnë udhëtimet e trageteve, për t’iu përgjigjur kërkesës së qytetarëve. Krahas emigrantëve shqiptarë, të cilët pushimet verore i kalojnë në vendin e tyre, ka edhe turistë të huaj, të cilët hyjnë në vendin tonë, nëpërmjet portit të Durrësit. /abcnews.al