Flota e peshkimit në Durrës drejt tkurrjes, për tre vitesh 10 anije më pak

schedule15:07 - 6 Tetor, 2018

schedule 15:07 - 6 Tetor, 2018

Flota e peshkimit në Durrës po shkon drejt tkurrjes. Brenda tre viteve numërohen dhjetë anije të cilat ose janë dëmtuar plotësisht ose janë mbytur.

Dy prej tyre u mbytën sapo dolën në det dy muajt e fundit. Në tre vitet e fundit dhjetë anije më pak. Flota e peshkimit në Durrës ndër më të mëdhatë në vend po shkon drejt zhdukjes.

Mungesa e një kantieri për kontrollin apo riparimin e peshkarexhave rrezikon që edhe shumë të tjera të kenë të njëjtin fat. Por ky nuk mbetet i vetmi problem që po e çon drejt tkurrjes këtë sektor.

Një vit më parë porti i ri i kaloi flotës së peshkimit. Por në rrugë zyrtare ai ende nuk është marrë nën administrim nga organizata e menaxhim peshkimit Durrës.

Mungesa e një administratori ligjor e ka kthyer investimin prej 16 milionë euro mall pa zot. Këtu çdokush mund të bëjë çfarë të dojë dhe të mos penalizohet.

Shkarkimi i mbetjeve hidrokarbure dhe mbeturinave e të tjera bëhet në det. Ndotja masive e ujërave që prej vendosjes së kësaj flote këtu, ka qenë e vazhdueshme.

Ashtu sikurse edhe konfliktet e krijuara për pozicionimin e anijeve në kalatat përkatëse. Askush nuk është ndëshkuar.

Dhe e gjitha kjo do të ndodhë për aq kohë sa ky territor mbetet i pambikëqyrur nga strukturat përkatëse.

Gazetare e ABC News, Durrës: Enkeleda Arapi

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!