Florian Marku në kundërsulm: Conor Benn s’flet dot për mua, ka ngrënë shumë dru

schedule20:36 - 23 Shkurt, 2021

schedule 20:36 - 23 Shkurt, 2021

Florian Marku mundi me KO Rylan Charlton në ndeshjen e tij të fundit dhe i dha vetes mundësinë për t’u ngjitur në majën e boksit anglez dhe botëror. Në emisionin “Sport Time” në “Supersport”, Marku foli për sfidën e shkuar dhe u ndal edhe në një ndeshje të mundshme me Connor Benn, të cilin e thumbon sërish.

“Pse dua të ndeshem me Connor Benn? Ai është një çelës besoj unë për titullin e Botës, që unë kërkoj. Connor Benn është më i njohuri për kategorinë time këtu dhe unë kërkoj sfida të forta dhe besoj se ai më ndihmon shumë të arrij ku dua më shpejt.

Kunjat e tij? Kurrë nuk më rrëzoi, edhe pse arbitri nisi numërimin unë isha në lëvizje dhe nuk pësova një goditje të pastër, që të trullosesha. Connor Benn nuk mund të diskutojë për mua për rrëzime sepse ai e ka bërë shumë herë këtë dhe ka ngrënë shumë dru.

Ai e di se çfarë niveli jam unë dhe prandaj nuk e pranon të ndeshet. Gjithsesi do i vijë koha. Menaxheri im dhe Eddie Hearn po diskutojnë për një ndeshje me të, por duhet të rikthehet publiku në arenë që të zhvillohet një ndeshje e tillë”, u shpreh Marku. /abcnews.al