Florian Binaj më në fund doli nga trafiku dhe u prezantua si kandidat për Bashkinë e Tiranës. Risia kësaj radhe: doli dhe nga pavarësia dhe u rreshtua mes partive që e mbështesin. Pa harruar sigurisht dashuritë e vjetra.
“Më pëlqejnë këto pyetjet që vijnë nga, nga ABC-ja. Unë jam, siç e thashë, jam një kandidat i pavarur, i mbështetur nga të gjitha partitë e opozitës. Dhe në qoftë se ju e shihni si si një lloj varësie faktin që mbështetja vjen jo vetëm nga Partia Demokratike por nga të gjitha partitë e tjera, po, jam i varur edhe nga Partia e Lirisë, jam i varur edhe nga Partia Nisma Thurje, edhe nga Shqipëria Bëhet, dhe nga Partia Agrare Ambientaliste, nga të gjitha.”
Në këtë takim të parë, Binaj mblodhi koordinatorët e partive politike opozitare. Në rresht për 1, nga Alimehmeti nga Hasimja, si një koalicion i të mbeturve në tentativë.
“Jemi duke punuar me një ekip jopartiak, që brenda një kohe të duhur, të dalim dhe të tregojmë këtë program për të gjithë qytetarët”
Një ftesë që iu shtri edhe qytetarit të parë të Republikës blu.
“Nuk kam folur me z.Berisha. Unë nuk do të dal në fushatë me asnjë kryetar partie, por jam i gatshëm të takoj këdo kryetar partie opozitare.”
Por ndërsa ish polici i portokallisë bën batuta në trafik me policët e qeverisë, ajo që duket se do jetë rivalja për t’u mundur, ka shtruar fushatën e saj prej javësh.
Ndoshta dhe rastësishëm, ditën kur kundërshtari i saj dikur protestues i pavarur, zyrtarizoi mblesërinë me politikën, Ogerta Manastirliu takoi shoqërinë civile.
“Në fund të fundit Tirana duhet të jetë qyteti që përkujdeset, që punon por edhe që jep dhe ofron shanse të barabarta për cdo qytetar”/abcnews.al

