Dy shqiptarë dhe një grua greke u arrestuan ditën e sotme si anëtarë të një rrjeti që trafikonte heroinë. Gjatë aksionit në qytetin Kalyvia, policia greke sekuestroi 29 kilogramë heroinë. Droga u gjet në një tavernë, ku punonte njëri prej shqiptarëve të arrestuar.
Ai është 34 vjeç dhe prej disa vitesh punonte në këtë tavernë. Pronari grek i këtij biznesit ka folur për mediat helene dhe ka thënë se nuk e mendonte kurrë që shqiptari të ishte i përfshirë në këtë veprimtari kriminale. 34-vjeçarin e donte si djalin e tij pasi punonin bashkë prej shumë kohësh.
“Më lehtë do ta kisha të fajësoja fëmijën tim se sa atë”, thotë pronari grek i tavernës.
Ai ka edhe një këshillë për qytetarët e tjerë: “Bëni kujdes se cilët persona fusni në shtëpitë dhe bizneset tuaja”.
Bashkë me 34-vjeçari, u arrestua edhe një 32-vjeçar shqiptar që mendohet se është “truri” i rrjetit të drogës dhe një 29-vjeçare greke.
Sipas mediave të vendit fqinj, heroina vinte nga Shqipëria dhe Turqia e më pas dërgohej në këtë tavernë, ku ripaketohej dhe përzihej me substanca të tjera./tvklan.al