Flet babai i Kreshnik Beqirajt: Albert Zekaj më vrau djalin në gjumë

schedule14:04 - 9 Mars, 2018

schedule 14:04 - 9 Mars, 2018

Babai i Kreshnik Beqirajt tregon se si shoku i ngushtë i vrau djalin në gjumë. Konflikti mes tyre ka lindur për qeranë e shtëpisë.

Ky është Kreshnik Beqiraj i vrarë në mënyrë të pabesë dhe makabre. Trupi iu gjet i skeletizuar 8 muaj pasi u vra nga shoku i ngushtë. Ky i fundit e vrau pasi mori prej tij mbështetjen që vetëm një vëlla mund ta japë.

36-vjeçari Beqiraj dhe Albert Zekaj jetuan dy vjet në të njëjtën banesë, të cilën e kishin marrë me qera. Zeka për arsye që nuk i tregonte nuk mund të kthehej në vendlindje. Për familjen e Beqirajt ishte si djalë i shtëpisë, por kjo nuk e pengoi për t’i vrarë djalin dhe në mënyrë çnjerëzore.

“E kishte vrarë në gjumë natën dhe e kish marrë dhe e kish hedhur në Daullas”.

I gjymtuar nga sëmundja 70-vjecari Beqiraj nuk ngurroi të kërkonte të birin në dyert e policisë për 8 muaj me rradhë edhe pse sikurse thotë përballej me indiferencë pikërisht për shkak të gjendjes së tij fizike. Eshtë dashur ardhja e vëllait të viktimës nga jashtë vendit që policia të niste hetimet për rastin.

“Nga ajo që kisha kështu nuk më sqaronin, ikja. Erdhi djali i vogël që iu qep kësaj pune”

Tre ditë përpara se të vritej dha masakrohej nga Zekaj, 36 vjecari beqiraj kishte vizituar të atin dhe i kishte thënë se do ta nxirrte albertin nga banesa pasi nuk paguante qeranë. Zeka dhe Beqiraj janë njohur në Belgjikë, ku mendohet se kanë qënë në burg bashkë. Pas daljes nga burgu, Zeka qëndron në Fier bashkë me shokun e tij duke marrë një banesë me qera. Beqiraj fillon punë në një pikë tregtimi bojrash, ndërsa Zeka nuk kishte një punë fikse. I ati i viktimës jeton i vetëm në lagjen “Kastriot”, ndërsa pjesa tjetër e familjes në shtetin belg. Polica tha se Zeka e ka vrarë shokun e tij me një çekiç e më pas e ka transportuar trupin me makinë në afërsi të fshatit Daullas. Pas kësaj, Zeka largohet nga Fieri dhe jeton në Tiranë i qetë deri në Janar të këtij viti, kur policia nisi hetimet për një vrasje ose rrëmbim të mundshëm të 36-vjeçarit Beqiraj. Ai u ndalua disa ditë më parë, kur rrëfeu krimin përpara hetuesve.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!