Fleckenstein zhvillon konferencë me gazetarët

schedule15:47 - 5 Prill, 2018

schedule 15:47 - 5 Prill, 2018

Pas vizitës zyrtare dy ditore në Tiranë, raporteri për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein, zhvilloi një konferencë për mediat gjatë të cilës tha se demonstratat dhe protestat janë mjeti demokratik i çdo shoqërie civile dhe qytetari, por kufiri sipas tij është tek ushtrimi i dhunës.

Në vizitë zyrtare prej 48 orësh në Shqipëri, gjatë të cilës u prit nga kryeministri Edi Rama dhe kryeopozitari Lulzim Basha, europarlamentari, reporteri për Shqipërinë, Knut Fleckenstein, zhvilloi një konferencë me gazetarët gjatë së cilës dha këndvështrimin e tij për situatën e krijuar prej ditësh në Shqipëri. Fleckenstein sheh dy anë, atë të siguruar nga të drejtat dhe liritë e njeriut dhe atë që kufizohet pikërisht prej tyre, duke mos i kursyer njohjen e suksesit të brendshëm.

Knut Fleckenstein: “Nuk mendoj se një demonstratë do të ketë ndikim në raportin e komisionit. Sa për mua personalisht nuk do e ndaloja kurrë trafikun. Qytetarët do më vrisnin. Normalisht që është e drejta e shoqërisë civile të protestojë ashtu si qytetarët e Kukësit. Nuk është e drejtë që të jetë i dhunshëm. Nuk ishte pa sukses me sa dëgjova sepse ca ide janë hedhur për të përmirësuar gjërat. Edhe në shtetin tim jo gjithmonë qeveria ka zgjidhjen më të mirë”.

Për këtë ambasadorja e BE në Tiranë Romana Vahutin njoftoi pritjen e një raporti të detajuar nga misioni Europian për asistencën ligjzbatuese në vend , PAMECA. Përpos dy krerëve të pushteteve në Shqipëri, Rama – Basha, takimet zyrtare të Fleckenstein kishin parashikaur një edhe me shefin e punëve të Brendshme Xhafaj.

Knut Fleckenstein: “Kam pasur një takim me ministrin e brendshëm dhe mund ta imagjinoni se ishte shumë i rëndësishëm jo për mua, por për procesin në vijim”.

Për Fleckenstein, as mosbindja civile e së enjtes dhe as krimi i organizuar nuk i kanë ndryshuar mendimin Parlamentit Europian për Shqipërinë dhe për këtë, rekomandimin nga Komisioni Europian e kërkon pa kushte.

I pyetur nga ABC News lidhur me nisjen e reformës së pronës të inicuar nga Këshilli i Ministrave dhe ministria e Drejtësisë, në një kohë kur nisja e implementimit të asaj në drejtësi ka bllokuar punën në një pjesë të gjykatave në vend, Fleckenstein njohu rëndësinë thelbësore të të dyjave.

Knut Fleckenstein: “Nuk mundem t’i përgjigjem specifikisht pyetjes tuaj, por mund t’ju them se sa më shumë të implementohet reforma në drejtësi aq më të sigurtë jemi në të venien në rregull të së drejtës së pronës”.

Raporteri për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Fleckenstein, uroi një kthim me lajme të mira në Shqipëri, pas publikimit të progres raportit të Komisionit Europian më 17 Prill, ku KE do të shprehet për negociatat e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor./abcnews.al