Flakët përpijnë Sazanin, Çako merr helikopterin për të parë ç’po ndodh në ishull

schedule12:25 - 6 Qershor, 2022

schedule 12:25 - 6 Qershor, 2022

Ndërhyrjen nga ajri për të shuar zjarrin në Ishullin e Sazanit e shikon të panevojshme, por vetë Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile Haki Çako, i shoqëruar nga ekspertë zjarresh është duke kryer nga helikopteri vlerësimin e situatës në Ishullin të rrethuar nga flakët prej 3 ditësh.

Pamjet e monitorimit i ka publikuar kryeministri Edi Rama, me anë të një postimi në Facebook, ku ka bërë të ditur se në helikopter ishte Çako për “Rikonjicion” nga ajri të vatrave të zjarrit.

Sa i përket ndërhyrjes me helikopter për shuarjen e flakëve Emergjencat Civile deklarojnë se do ta kryejnë në momentin e përshtatshëm, pavarësisht se forcat e ushtrisë dhe ato zjarrfikëse janë duke tentuar vetëm me mjete rrethanore vënien nën kontroll të zjarrit.

Rama shkruan se e njëjta situatë po ndodh në Greqi e kudo tjetër në kushtet e zjarreve “ku po hidhen përpjetë duke kërkuar helikopterë me kova uji biblik e me shkopinj magjikë”. Sipas tij, “janë të njëjtët shqipo, që në tërë historinë e këtij vendi, kanë bërë fiks të njëjtën gjë, vetëm llafe”.

Sa për ata që nuk kanë sy të shohin çfarë ndodh njëkohësisht, sot që flasim, rrotull Athinës apo çfarë ndodh kudo tjetër në kushtet e zjarreve, nga Turqia e deri në Spanjë, po hidhen përpjetë duke kërkuar helikopterë me kova uji biblik e me shkopinj magjikë, nuk kemi asgjë për të thënë! Janë të njëjtët shqipo, që në tërë historinë e këtij vendi, kanë bërë fiks të njëjtën gjë, llafe, llafe, llafe…”, shkruan Rama.

Burimet nga terreni për Abc bëjnë me dije se sot kanë filluar të dëgjohen shpërthime të municioneve të vjetra të mbetura që nga viti 1997. Sigurisht që këto shpërthime vënë në rrezik edhe jetën e efektivëve të angazhuar për të shuar flakët që vijojnë të përhapen për shkak edhe të erës së fortë.

Me dhjetëra pisha shekullore janë shkrumbuar dhe vijojnë të digjen edhe gjatë kësaj të hëne. Ashtu si në çdo sezon veror, janë rikthyer vatrat e zjarrit në vendin tonë dhe shpesh herë, ndërhyrja është e vështirë për shkak të terrenit si dhe era favorizon përhapjen e flakëve. E vetmja zgjidhje në këto raste mbete ndërhyrja nga ajri pasi është e pamundur ndërhyrja nga uji, për shkak të mungesës së mjeteve.

Deri më tani në flakë është përfshirë e gjithë pjesa jugore e ishullit.

Lexo edhe: Sazani “përpihet” nga flakët, dëgjohen shpërthime në zonë, pse nuk ndërhyhet nga ajri?

Ende nuk është përcaktuar saktë sipërfaqja që po digjet, por është e gjithë pjesa e djathë e ishullit, ku ndodhet dhe porti.

Përmes një deklarate në rrjete sociale ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi tha se prej orëve të para të ditës ka rinisur puna për shuarjen e zjarrit, por theksoi se situata vijon të jetë kritike, pasi flakët përhapen edhe për shkak edhe të erës.

Lexo edhe: Sazani prej 3 ditësh “nën pushtetin” e flakëve, Peleshi: Situata kritike, shtohet numri i efektivëve në terren

Prej orëve të para të ditës ka rinisur puna për shuarjen e zjarrit në ishullin e Sazanit. Situata vijon të jetë kritike, pasi flakët përhapen për shkak edhe të erës. Është shtuar numri i efektivëve që janë angazhuar në aksionin e shuarjes së zjarrit, me pjesëtarë të Flotiljes Detare në Pashaliman, efektivë të Forcave Speciale, zjarrfikëses së Vlorës dhe vullnetarë. Tymi i krijuar rrezikon qëndrimin në zonë, ndërsa përpjekjet po vijojnë për të mbajtur situatën nën kontroll”, shkruan ministri.

/abcnews.al