Është firmosur marrëveshja për shërbimin shëndetësor shqiptar, e posaçërisht për QSUT dhe Universitetin e Mjekësisë, që do të hyjnë në një partneritet strategjik me qendrën spitalore universitare të ekselencës europiane “San Raffaele” dhe universitetin përkatës “Vita- Salute San Raffaele”.
Më herët gjatë fjalës së tij kryeministri Edi Rama e cilësoi këtë si një marrëveshje historike për shërbimin shëndetësor shqiptar. QSUT dhe Universiteti i Mjekësisë tashmë do të hyjnë në një partneritet strategjik me qendrën spitalore universitare të ekselencës europiane “San Raffaele” dhe universitetin përkatës “Vita- Salute San Raffaele”, për t’u kthyer në pjesë integrale të eksperiencës e praktikës së tyre, duke u bërë ofrues të një niveli europian kujdesi dhe edukimi mjekësor.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri Edi Rama u shpreh se synimi është që QSUT-ja të kthehet në pikë referimi për të gjithë Ballkanin. Sipas tij jo vetëm QSUT, por dhe Universiteti i Mjekësisë do u japë mundësinë të gjithë djemve dhe vajzave, jo vetëm nga Shqipëria, por dhe nga rajoni që të studiojnë në një universitet që plotëson standardet europiane.
“Marrëveshja e sotme e hap këtë kapitull dhe sot nuk është më çudi që të imagjinojmë që në këto vite, ne do të arrijmë që t’u japim të gjithë atyre që akoma kanë nevojë të shkojnë, jo në Turqi, jo në Itali, e jo në vende të tjera, për t’u kuruar mundësi që ta bëjnë këtë këtu në Shqipëri, në sistemin publik shëndetësor, ku të marrin shërbimin e nivelit më të lartë europian dhe nga ana tjetër, t’u japim mundësi të gjithëve, jo vetëm vajzat e djemve nga Shqipëria, por edhe vajzat e djemve nga Kosova, nga Maqedonia e Veriut dhe të tjerë nga rajoni që të vijnë të studiojnë në universitetin tonë të mjekësisë dhe të dalin nga ky universitet me një diplomë të nivelit më të lartë europian. Kam shumë besim që stafi do ta përqafojë me pasion profesional këtë mundësi dhe do t’i bashkohet me të gjithë përkushtimin e nevojshëm grupit të partnerëve tanë që do të fillojnë intensivisht punën, pasi ne të kemi përmbyllur të gjitha proceset teknike të marrëveshjes”, tha kryeministri Rama.
/abcnews.al

