Banorët e zonës së Laçit të mbetur pa strehë, brenda 6 muajve do të kenë banesa të reja. Ministri i Rindërtimit Arben Ahmetaj dhe ministri turk Murat Kurum firmosën marrëveshjen për nisjen e projektit.
Ndërtimi i 500 banesave të reja në zonën e Laçit për banorët e prekur nga tërmeti pritet të nisë brenda pak javëve. I pranishëm në këtë aktivitet kreu i qeverisë Edi Rama theksoi se projekti turk do të zgjidhë edhe problemin e infrastrukturës në këtë zonë si edhe do ti japë fund përmbytjeve.
Ndërkohë ministri turk, Murat Kurum u shpreh se tashmë ata presin dorëzimin e truallit për të vijuar me projektin.
“Menjëherë pas tërmetit ne ofruam ndihmë ndaj Shqipërisë. Ekipet tona kanë verifikuar 6 mijë njësi të dëmtuara si dhe kemi ofruar ndihma me çadra, më pas presidenti na dha porosinë edhe për ndërtimin e 500 banesave të reja. Shpresojmë që autoritetet të na dorëzojnë truallin sa më parë për të nisur projektin. Do të jetë një lagje shembullore me institucionet përkatëse si dhe do ndërtohet në përshtatje me kulturën dhe zonën”, tha ai.
Ndërtimi i 500 banesave në zonën e Laçit është projekti i parë që pritet të zbatohet në zonat e prekura nga tërmeti në Shqipëri. Kryeministri Rama dhe ministri turk pas nënshkrimit të marëveshjen realizuan një vizitë në Bashkinë e Laçit për tu njohur nga afër me zonën ku do zbatohet projekti./abcnews.al