Financial Times: Holanda nuk duhej të bllokonte hapjen e negociatave me Shqipërinë

schedule14:15 - 25 Qershor, 2018

schedule 14:15 - 25 Qershor, 2018

Financial Times me anë të një analize shkruan se Holanda nuk duhej të bllokonte hapjen e negociatave të BE-së me Shqipërinë. Në shkrim paralajmërohet se një gjë e tillë do të rrezikojë reformat e ndërmarra.

Media e njohur ndërkombëtare, Financial Times, ka publikuar një analizë të gjatë, lidhur me zhvillimet negative që mund të sjellë mos çelja e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë me BE-në.

“BE duhet të mbrojë, jo të hedhë poshtë, reformat e Shqipërisë”, titullohet shkrimi i autorit Willem van Nieuwkerk, drejtor i Qëndrës për Bashkëpunimin Ligjor Ndërkombëtar në Hagë. Ai nënvizon se vetoja e Holandës vendos në rrezik reformat në vendin tonë.

Van Nieuwkerk vlerëson punën e bërë nga Shqipëria, veçanërisht në implementimin e reformës në sistemin e drejtësisë, megjithatë ka një shqetësim të madh.

“Vetoja e ardhshme holandeze në mbledhjen e Këshillit Evropian në 28-29 Qershor mund të ngadalësojë ose të ndalojë këtë përparim”, thekson ai, duke shtuar se ndalimi i proceseve integruese për Shqipërinë do të ketë një impakt katastrofik.

Sipas Van Nieuwkerk, reforma në drejtësi, mund të jetë shembull për të gjithë vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

“Modeli i përdorur nga Shqipëria duhet të aplikohet edhe në vende të tjera të rajonit”, thotë ai.

Megjithatë, analisti holandez nënvizon në fund, se “një shtyrje tjetër e bisedimeve të pranimit mund të jetë ajo që pengon përparimin e Shqipërisë”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!