Fillon numërimi i “hambarit” të votave të PD në Durrës, Baçi: Priten surpriza

schedule23:38 - 26 Prill, 2021

schedule 23:38 - 26 Prill, 2021

Durrësi është një ndër qarqet me ritmin më të ulët të numërimit të votave, gjë që ka detyruar KQZ-në që të gjobisë disa prej anëtarëve të KZAZ-ve për këtë çështje.

PS e nisi me një avantazh të thellë mëngjesin e sotëm, por siç raporton gazetari Leonidha Musaj për Abcnews.al, demokratët po rekuperojnë gjatë orëve të pasdites dhe të mbrëmjes pasi janë duke u hapur kutitë e votave nga zonat e njohura si bastion.

“Tani janë duke u numëruar kutitë e Sukthit dhe zonës së njohur si ish-Këneta, e njohur si hambari i votave të demokratëve”, tha Musaj.

Ndërkohë në studio, kandidati i PD-së në këtë qark Agim Baçi u shpreh se priten ndryshime në Durrës pasi tani ka filluar numërimi i votave në kutitë e bastioneve të demokratëve në qark.

PS ka 35 583 vota në Durrës, kundrejt  27 876 votave që ka marrë PD. Ndërkohë, LSI ka marrë 4 432 vota.

Deri më tani në Durrës janë numëruar 229 nga 481 kuti që ka qarku në total. /abcnews.al