Për më shumë se gjashtë dekada, Avtar Singh jetoi me dyshimin se çfarë kishte ngjarë me nënën e tij biologjike.
Në anën tjetër të botës, Nicci Dhamu kërkonte prej vitesh vëllain e saj të madh, të cilin nëna e kishte humbur kur ai ishte ende fëmijë. Historia e tyre mori një kthesë të papritur falë ChatGPT.
Avtar lindi në Indi, por u rrit nga gjyshërit. Në moshën nëntëvjeçare u dërgua në Kanada për t’u bashkuar me babanë e tij, duke besuar se gruaja që e priti ishte nëna e tij.
Vetëm vite më vonë mësoi se ajo ishte në fakt njerka dhe se nëna biologjike quhej Savinder, pa arritur kurrë të zbulonte se ku ndodhej. Për dekada ai provoi kërkime në internet, arkiva dhe media, por pa rezultat.
Në maj të këtij viti, gjatë pushimeve në Francë, ai vendosi t’i drejtohej ChatGPT.
“Mendova se i kisha provuar të gjitha. Pse të mos i jepja një mundësi edhe inteligjencës artificiale?”, kujton ai, shkruan The Guardian.
Duke u bazuar në aq pak informacion që kishte për nënën e tij, ChatGPT i sugjeroi një artikull kushtuar Savinder Kaur Nagi, të shkruar nga Nicci Dhamu në kujtim të së ëmës, e cila kishte ndërruar jetë në vitin 2024.
Avtar vendosi t’i shkruante autores, pa qenë i sigurt nëse kishte gjetur gjurmën e duhur.
Vetëm pak orë më vonë, ata zhvilluan një telefonatë që ndryshoi jetën e të dyve.
“A pati fëmijë?”, e pyeti Avtar.
“Po. Ajo pati një djalë”, iu përgjigj Nicci.
“Titu, je ti?”, e pyeti ajo pak çaste më vonë, duke përdorur nofkën që vetëm familja e tij e njihte.
“Po, unë jam”, u përgjigj Avtar. “Askush nuk ma kishte thënë atë nofkë që kur isha fëmijë.”
Brenda pak ditësh, Avtar udhëtoi drejt Londrës, ku takoi për herë të parë motrën, xhaxhain dhe pjesën tjetër të familjes nga ana e nënës.
Ata rindërtuan së bashku historinë e Savinderit, e cila ishte detyruar të ndahej nga djali i saj pas një martese të dështuar dhe nuk e kishte harruar kurrë.
Megjithëse ribashkimi u bë i mundur falë ChatGPT, Avtar mbetet realist për rolin e inteligjencës artificiale.
“Tani për tani, AI është ende një motor kërkimi i avancuar. Gjeti përputhjen më të mirë mes të dhënave që i dhashë. Nuk ka inteligjencë aty”, tha ai.
Për Nicci-n, megjithatë, përfundimi është shumë më emocional.
“Kush do ta kishte menduar se ChatGPT do të çonte te një artikull, ai artikull te një email dhe ai email te gjithë kjo? Ka një prekje njerëzore edhe te inteligjenca artificiale. Shikoni çfarë ndodhi”, tha ajo.



