Gazetarja e ABC News, Valbona Daci, shkoi në lagjen “29 Nëntori” në Fier, aty ku katër grabitës tentuan të vidhnin banesën e Minella Muçi.
Ky i fundit lajmëroi policinë, të cilët shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes, ku më pas pati dhe shkëmbim zjarri mes tyre dhe grabitësve.
Si pasojë e shkëmbimit të zjarrit mbeti i vdekur një prej grabitësve, dy u arratisën dhe një tjetër u plagos, identiteti i të cilit është Arben Muça, 33 vjeç.
E shoqja e të zotit të shtëpisë, Elsa Muçi, shprehet para kamerave se ka qenë llozi, që ka bllokuar grabitësit.
Pyetje: “Ju shpëtoi llozi”?
Elsa Muçi:“Edhe unë e lë pa lloz, por Minella më bënte llafe gjithmonë. me fat”!
Pyetje: Nuk arritën të hyjnë deri brenda hë?
Elsa Muçi: “Jo jo, nuk e shikon, llozi futet në beton këtu”.
Ndërkohë, fqinjët shprehen se ngjarja ka ndodhur në orën 2 e 20 të natës, kur kanë dëgjuar të shtëna.
Gazetarja: “Dëgjoheshin qartë”?
Fqinja 1: “Po po po”.
Gazetarja: “Në çfarë ore ka qenë”?
Fqinja 1: “Përgjumësh. Mund të ketë qenë 2 e 20. S’e kam idenë tamam”.
Gazetarja: “Të shtënat ishin në breshëri”?
Fqinja 1: “E ke parasysh, se kur je përgjumësh të duket sikur je në ëndërr, por po dëgjuam të shtëna”.
Gazetarja: “Pastaj u ndërgjegjësuat se diçka po ndodhte”?
Fqinja 1: “Po”.
Gazetarja: “Çfarë bëre”?
Fqinja 1: “U tremba në shtëpi. Çfarë të bëja? Isha vetëm, burrin e kam në punë”.
Më tej, një fqinjë tjetër është shprehur se të gjithën e ka marrë vesh nga televizori dhe ka kujtuar se zhurmat ishin fishekzjarre.
Fqinja 2: “Unë kur u ngrita dëgjova në orën 3:00 zhurmat. Thashë mos janë fishekzjarret, Edhe asgjë tjetër. Ja tani kam dalë unë”.
Gazetarja: “Nuk e more vesh që ishte…”?
Fqinja 2: “E mora vesh në televizor”.
Gazetarja: “Fjete gjumë”?
Fqinja 2: “Fjeta gjumë. Dija unë”.
Gazetarja: “Mendove se ishin fishekzjarre”?
Fqinja 2: “Po”./abcnews.al