Read More…

"/>

Festivali si “Transoqeanik”

schedule11:18 - 31 Dhjetor, 2021

schedule 11:18 - 31 Dhjetor, 2021

Nga Edi Oga

Festivali i Këngës në RTSH, i ngjan një transoqeaniku që sjell kontenierë. Ai duhet të ‘ankorohet’ patjetër në ‘portin kulturor’ shqiptar dhe të zbrazë ‘mallin’ që ka sjellë. Diskutimet për ‘anijen’, pra për skenografinë, organizimin, moderimin, nuk më duken thelbësore. Mua më shqetëson ‘përmbajtja e kontenierëve’!

Personalisht, si dikush që e njeh festivalin e këngës ‘nga brenda’, përsa skenarist i tij në dy edicione, 42 dhe 51, dua të shpreh edhe unë shkurt nja dy mendime.

1. Jemi në pikën më të ulët historike përsa i përket teksteve të këngëve. Mendoni që më parë edhe ne i thonim ‘lirika’ (lyrics), sepse ishin poezi. Sot tekstet e këngëve janë më së shumti zhargon rruge, pasthirrma, fjalë dhe togfjalësha që emërtojnë drejtpërsëdrejti pjesë trupore, aktivitet erotik dhe intim, pa kurrfarë përdorimi të figurave letrare.

2. Ka një rënie cilësore të krijimtarisë edhe përsa i përket kompozimeve, pra melodive dhe orkestrimeve. Duke pasur qëllim të vetëm pjesmarrjen në Eurovizion, autorët përpiqen të përshtasin modele të stërpara këngësh që kanë ‘funksionuar’ në atë event. Rezultati, këngë të dëgjuara, mediokre, naive deri në paçavure.

3. Është e vërtetë që masivizimi i artit për shkak të teknologjisë dhe lirisë së shprehjes, ka deformuar keqazi shijet e publikut, por organizatorët dhe realizuesit e festivalit duhet të punojnë në drejtim të kundërt, sepse ata janë profesionistë të këngës së vërtetë. Për fat të keq, po ndodh e kundërta. Festivali u,  është dorëzuar propozimeve ‘kitsch’ dhe rrymave muzikore vulgare.

Përsa i përket këngës fituese, ajo nuk ishte cilësisht e denjë për të konkuruar në një festival të televizionit kombëtar. Pjesa tjetër e përgjegjësisë i mbetet jurisë që e shpalli fituese.

Megjithatë, meqë Eurovizioni do të ndodhë, mendoj se Ronela e ka potencialin që të performojë. Nëse ndryshon thellësisht tekstin, përmirëson ‘arranxhimin’ muzikor, gjen koreografi origjinale dhe këndon pak më mirë, mund të arrijë të justifikojë pjesërisht shpenzimet e pjesëmarrjes në Eurovizion. Sa për kujtesë, Festivali i Këngës në RTSH dhe dërgata në Eurovizion paguhen me paratë e buxhetit të shtetit. /abcnews.al