Festivali i filmit “PriFest” vjen në Tiranë, Veliaj: Prej Vjosës jemi sot edhe më afër me Prishtinën!

schedule17:25 - 29 Tetor, 2022

schedule 17:25 - 29 Tetor, 2022

Festivali Ndërkombëtar i Filmit “PriFest” (Prishtina International Film Festival) vjen në Tiranë, i cili do te zgjasë tre dite. Ne natën e hapjes, kryebashkiaku Erion Veliaj u shpreh se një nga arsyet e mbajtjes së këtij festivali në Tiranë ishte për të kujtuar pikërisht themeluesen e tij, Vjosa Berishën, por njëkohësisht për të pasur edhe Prishtinën më afër.

“Një nga arsyet për të pasur një edicion festivali, ishte patjetër për të kujtuar Vjosën, shoqen time dhe tonën, një njeri që ka lëne gjurmë me art, me njerëzit që dashuroi dhe frymës që përçoi në komunitetin tonë. Ajo ka qenë, siç e ka pasur emrin, Vjosë. Pra një lumë i rrëmbyer, i destinuar që të marrë përpara gjithë pengesat. Besoj se është nga të rrallat herë kur një njeri i qëndron vërtetë emrit të vet. Jam shumë i lumtur që për nder të Vjosës, t’i bëjmë edhe një nder Kosovës. Kemi një mundësi që ta trajtojmë marrëdhënien dhe raportin special qe kemi me Prishtinën, me Kosovën, jo si një nga 52 javët e vitit, por të mundohemi që në çdo javë te kemi ne Tirane shijen e Kosovës,” u shpreh Veliaj.

Gjatë fjalës së tij, bashkëshorti i Vjosa Berishës, themelueses së festivalit në Prishtinë, Fatos Berisha, u shpreh se kjo është hera e dytë që PriFest vjen në Tiranë. Ai theksoi se këtë herë ky festival rikthehet këtu për të kujtuar një anë të Vjosës, ndërsa foli edhe për filmat që ai do të sjellë për publikun.

“Më vjen mirë që jemi këtu si “PriFest”.  Unë jam këtu shumë shpesh si shok i Albanit, por si “PriFest” është hera e dytë. Tani po vijmë për të festuar, po vijmë dhe për të kujtuar një anë të Vjosës, që e ka sjellë një pjesë të vogël të Prishtinës në Tiranë, ose një pjesë të vogël të festivalit të filmit të Prishtinës në Tiranë. Filmat që do të shikoni janë fituesit e edicionit të sivjetshëm, që e kemi pasur në shtator. Jam shumë i lumtur që këtu janë bashkë kineastë dhe miq nga Tirana, nga Prishtina, nga Kosova, nga Shqipëria. Festivali e ka këtë mision të krijojë miqësi të reja, por dhe të mbajmë ato të vjetrat. Një ndër miqtë e festivalit, por edhe të Vjosës, ka qenë dhe është Erion Veliaj, i cili mundësoi që sot ne të jemi këtu, jo vetëm sot, edhe nesër e pasnesër”, deklaroi Fatos Berisha.

Nga ana tjetër, artisti Alban Nimani theksoi se bashkëpunimi mes Tiranës dhe Prishtinës po vazhdon në veçanti për shkak të mbështetjes së Bashkisë së Tiranës duke njoftuar një program shumë të mirë me filmat dhe artistët më të mirë. “Më vjen mirë shumë që po vazhdon bashkëpunimi mes Prishtinës dhe Tiranës, sidomos në mbështetjen e Bashkisë së Tiranës. Sonte, nesër dhe pasnesër kemi një program shumë të mirë me filma, me kineastë, me artistë të Kosovës, Shqipërisë ku do të mblidhemi dhe të flasim që të vazhdojmë të  forcojmë bashkëpunimin”, tha ai.

Festivali i filimit PriFest u themelua nga Vjosa Berisha në vitin 2008 pas pavarësisë së Kosovës si një nevojë për të promovuar imazhin e saj kulturor dhe artistik si shtet i pavarur. Edicioni i parë i tij u mbajt një vit më vonë, në vitin 2009. Vjosa Berisha u nda nga jeta në qershor të vitit të kaluar pas një beteje të vështirë me sëmundjen.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!