Tifozët në Britani mund të lejohen të konsumojnë sërish alkool në stadium duke ndjekur ndeshjen. Ata nuk janë lejuar që prej vitit të largët 1985, por rregullat mund të ndryshojnë sipas një rekomandimi.
Sipas asaj që raporton gazeta “The Times”, ish-Ministrja e Sportit dhe deputetja konservatore, Tracey Crouch, ka përfunduar një rishikim të pavarur të çështjes.
Ajo ka vendosur që të provojë një projekt pilot, ku do të shërbehet alkool në ndeshjet e “National League” dhe “League 2”, me synimin për ta zgjeruar në një nivel më të lartë.
Ligat e tjera kryesore europiane u lejojnë tifozëve që të shijojnë konsumimin e birrës në vendet e tyre, ndërsa ndjekin ndeshjen. Gjithashtu, një ndalesë e tillë nuk shihet në sportet e tjera britanike, si kriket dhe regby.
Crouch beson se masa mund të inkurajojë tifozët që të mos pinë pije para ndeshjeve dhe do të krijojë të ardhura shumë të nevojshme për klubet e ligave më të ulëta. /abcnews.al