Në përgjigje të kërkesës së një fermeri në zonën e Moravës i cili tha se ora policore i zë fermerët në arë, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se fasha orare nuk duhet të pengojë punën por jetën e natës. Rama u shpreh se Komiteti nuk pyet asnjë njeri, përfshirë edhe vetë atë, por shtoi se nisur nga kërkesat e shumta që ka pasur për zgjatjen e orarit do të bëhet më e mira për të gjetur një zgjidhje, veçanërisht në zonën e fshatit.
Kreu i qeverisë deklaroi se shumë vende të tjera në Europë kanë masa më strikte, duke marrë shembull Francën ku ai ishte pak ditë më parë, për të cilën tha se mban hapur vetëm ushqimoret.
“Çështja është që ai komiteti nuk pyet as mua as njeri. Ajo fashë orare nuk pengon punën. Fasha orare nuk është për ata që janë në punë. Në zonën e fshatit nuk duhet të aplikohet për ata që janë në punë. Ka shumë kërkesa për rritjen e fashave orare.
Nuk duhet të nxitohemi se vendet e tjera po mbyllen nga e para. Në Francë dyqanet ishin të mbyllura, Vetëm ushqimoret ishin të hapura. Është vala e tretë. Është versioni britanik. Nuk është vdekje prurës por njësoj si tjetri por ka transmetueshmëri më të lartë. Duhet të jemi të kujdesshëm. Për të rritur vaksinimin. Do shkojmë gjysmë milioni të vaksinuar brenda majit.
Do e shikojmë këtë pjesë veçanërisht për zonën e fshatit. Se thonë disa që ikën virusi ditën dhe vjen natën. Problemi i natës lidhet me jetën e natës. Jeta e natës e ka prirjen për t’u relaksuar. Nuk është njësoj si të dalësh për një kafe në mëngjes, Do e shikojmë dhe do bëjmë më të mirë”, u shpreh Rama./mv.abcnews.al