Eksperti i sëmundjeve infektive amerikane Anthony Fauci tha se një vaksinë kundër COVID-19 mund të jetë e disponueshme në Shtetet e Bashkuara që në fillim të muajit dhjetor, nëse ajo do të provohet që është e sigurt dhe efikase.
Megjithatë, ai sqaroi se do të duhen disa muaj të tjerë para nisjes së vaksinimit në masë.
“Mendoj se do të mësojmë nëse një vaksinë është e sigurt dhe efikase në fund të nëntorit ose në fillim të dhjetorit. Pyetja është, pasi e kemi një ose më shumë vaksina të sigurta, si do t’i çojmë tek njerëzit që kanë nevojë së më shpejt të jetë e mundur?
Sasia e dozave që do të jenë të disponueshme në dhjetor nuk do të jetë e mjaftueshme. Do të kenë prioritet stafi mjekësor, apo ata që gjenden në kategorinë e personave më të rrezikuar. Të tjerë do të duhet të presin disa muaj të tjerë në 2021-shin.”.
Pjesëtari i task forcës kundër Covid-19 në Shtëpinë e Bardhë shton se vaksina nuk do të zëvendësojë nevojën e respektimit të masave që janë në fuqi për të mbrojtur qytetarët nga virusi, për një kohë të caktuar. /abcnews.al