Sado madhështore, tri ndeshje nuk mund të mjaftojnë. E di këtë Trabzonspori, dhe e kupton shumë mirë Ernest Muçi, që duhet të presë për të mësuar fatin e tij.
Madje, jo të presë, por të vazhdojë të shkëlqejë siç ka bërë që nga fundi I nëntorit.
Lajmet janë që klubi turk ende nuk ka vendosur nëse do t’ia blejë kartonin shqiptarit në fund të sezonit.
E përditshmja “Fanatik” shkruan se ky vendim do të merret pikërisht në fund të këtij edicioni, ndonëse nëse Muçi do të vazhdojë me këtë ritëm, Trabzoni do të bindet më shpejt.
Ylli kuqezi ka shënuar 5 gola në tri ndeshje radhazi në Superligën e Turqisë, më I miri lojtar jo vetëm I ekipit të tij, por padyshim edhe I gjithë kampionatit.
Me 9 pikë në këto tri sfida, Muçi e ka ndihmuar Trabzonsporin që të mbetet vetëm 2 pikë larg Gallatasarajit që kryeson ligën, pra me pretendime të ligjshme për të fituar titullin.
Trajneri Fatih Teke është shumë I kënaqur dhe I ka kërkuar drejtuesve që ta marrin përfundimisht 24-vjeçarin, por përgjigja nga bordi ka qenë që ne po e ndjekim lojtarin dhe se do të presim.
Kartoni I tij do të kushtojë jo pak, 8.5 milionë euro, plus taksat, ndërsa 1 milionë euro I janë dhënë Beshiktashit për huazimin.
“Fanatik” jep edhe një detaj interesant.
Sipas të përditshmes kryesore sportive turke, Muçi u bë baba në 10 tetor, dhe drejtuesit e Trabzonit thonë se kjo ndikoi pozitivisht në formën e tij.


