Familjet shqiptare/ Më pak të ardhura, më shumë shpenzime

schedule14:24 - 27 Prill, 2018

schedule 14:24 - 27 Prill, 2018

Banka e Shqipërisë ka vrojtuar gjendjen financiare dhe atë të huamarrjes së familjeve shqiptare nga ku ka rezultuar se niveli i të ardhurave të tyre ka pësuar rënie, ndërsa ai i shpenzimeve është rritur. Sipas Bankës së Shqipërisë 42% e familjeve kanë marrë hua kryesisht për konsum.

Familjet shqiptare kanë fituar më pak dhe kanë shpenzuar më shumë gjatë gjashtë mujorit të dytë të vitit 2017.

Banka e Shqipërisë ka publikuar raportin e Stabilitetit Financiar ku vë në dukje se rreth 28% e familjeve deklarojnë se kanë marrë hua për të bërë pagesa.

Shifra ka mbetur e njëjtë krahasur me gjashtë mujorin e parë të vitit, por ka pësuar rënie krahasur me vitin e shkuar.

Bie në sy se në 63% të rasteve famijet i janë drejtuar burimeve jo formale të huamarrjes, të afërm apo të njohur, ku kanë marre para në dorë, ndërsa vetëm 37% e tyre kanë marrë kredi.

Sipas Bankës së Shqipërisë qëllim kryesor i marrjes së huasë mbetet konsumi në 42% të rasteve, blerja apo riparimi i pronës në 26% të tyre dhe në 12% të rasteve zhvillimi i biznesit.

Në 92% të rasteve monedha e tërhequr rezulton në lekë dhe vetëm në 8% të tyre euro.

Shumica e familjeve huamarrëse kanë deklaruar se aftësia e tyre paguese nuk ka ndryshuar gjatë periudhës kur është kryer vrojtimi, ndërsa pjesa tjetër flasin për përkeqësim.

Banka e Shqipërisë vëren një prirje të lehtë rritëse të mundësisë për të marrë hua gjatë pjesës së parë të vitit 2018./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!