Falsifikoi formularin e dekriminalizimit, Elvis Roshi s’do të bëjë asnjë ditë burg

schedule19:47 - 13 Korrik, 2018

schedule 19:47 - 13 Korrik, 2018

Gjykata e Tiranës shpalli fajtor ish-kryebashkiakun e Kavajës, Elvis Rroshi, për falsifikim të formularit të dekriminalizimit. Rroshi u dënua me burg, por ai nuk do të shkojë asnjë ditë ne qeli, pasi gjykata konvertoi dënimin në 60 orë punë në interes të publikut.

Ish kryebashkiaku i Kavajës Elvis Roshi, u shpall fajtor nga Gjykata e Tiranës për falsifikim të formularit të dekriminalizimit. Ai u dënua me 7 muaj e 15 ditë burg, por nuk do të shkojë asnjë ditë në qeli. Ai do të shlyejë dënimin duke bërë 60 orë punë të papaguar në shërbim të publikut.

Roshi ishte i pranishëm në seancën e së premtes, ku Gjykata e Tiranës i dha fund gjykimit të tij duke e shpallur fajtor dhe dënuar me burg. Ai përfitoi uljen e një të tretës për shkak të zbatimit të gjykimit të shkurtuar dënimi shkoi në 5 muaj. Bazuar edhe në faktin se Rroshi ka konsumuar një pjesë përmes qëndrimit në masën “arrest shtëpie”,

përfundimisht gjykata vendosi të pezullojë kohën e mbetur dhe ta konvertojë atë  me punë në interes të publikut.

Para shpalljes së vendimit gjyqtarja Olta Goxha u njoh me konkluzionet përfundimtare të palëve. Prokuroria kërkoi 7 muaj e 15 ditë burg për Roshin, por në fund pezullimin e vuajtjes së dënimit në qeli.

Sipas prokurorit Enklid Gjini, i pandehuri Rroshi kishte konsumuar veprën penale të “falsifikimit të formularëve”, kur nuk kishte deklaruar në formularin e dekriminalizimit një dënim për akuzën e “përdhunimit” në vitin 1995 në Itali, një vendim për dëbimin nga vendi fqinjë, si edhe pesë emra të përdorur prej tij gjatë viteve. Prokurori tha se informacionet për Rroshin ishin marrë në Itali, Gjermani e Zvicër.

Përmes avokatit Maksim Haxhia, Rroshi tha se pranonte akuzën dhe shfaqte pendesë të thellë.  Avokati tha Rroshi është dënuar në mungesë në Itali në vitin 1995 dhe se me kërkesë të tij, kjo çështje është rihapur aktualisht në vendin fqinj ku po rigjykohet.  Pas shpalljes së vendimit, Rroshi doli nga dera e pasme e gjykatës, duke iu shmangur kamerave. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!