Falja e namazit të Bajramit, të gjitha detajet për nesër dhe një falenderim i veçantë nga kreu i KMSH

schedule09:53 - 23 Maj, 2020

schedule 09:53 - 23 Maj, 2020

Sot është dita e fundit e Ramazanit dhe nesër besimtarët myslimanë në Shqipëri do të festojnë Fiter Bajramin, ditën e festës pas një agjërimi 30 ditor.

Siç njofton KMSH, falja e Fiter Bajramit këtë vit do të bëhet në të gjitha xhamitë e vendit, ndërsa ceremonia qendrore do të mbahet në xhaminë e Pazarit të Ri në Tiranë, e cila njihet ndryshe si xhamia e “Kokonozit”, në të cilën do të marrë pjesë edhe kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Haxhi Bujar Spahiu.

Ky i fundit do të mbajë edhe hutben, ndërsa një fjalë përshëndetëse do të mbajë edhe myftiu i Tiranës, Lauren Luli.

Ceremonia do të fillojë në orën 05:30 të mëngjesit me lexim Kurani dhe lutjesh, ndërsa falja do të bëhet në orën 06:00 dhe besimtarët do të udhëhiqen nga kreu i KMSH, Haxhi Bujar Spahiu.

Në fjalën e tij të urimit për besimtarët, Spahiu theksoi se ky Ramazani ishte krejtësisht ndryshe nga të tjerët për shkak të pandemisë, ndërsa ftoi besimtarët që të shpalosnin ato virtyte që fituan gjatë Ramazanit.

Spahiu falenderoi veçanërisht punonjësit e sistemit shëndetësor në vend, të cilët u përballën me pandeminë duke rrezikuar jetët e tyre.

Fjala e plotë
Falënderimet i takojnë Allahut, Krijuesit të botëve. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin
Muhamed (a.s), familjen, shokët dhe mbi të gjithë ata që pasojnë rrugën e tij.

Të nderuar besimtarë, vëllezër dhe motra, sot ndahemi nga një mik shumë i vyer dhe i shtrenjtë,
ndahemi nga muaji i Bekuar i Ramazanit, muaji i Kuranit, lutjeve, mirësive, bujarisë dhe
dashurisë hyjnore.

Muaji që lamë pas na ka rizgjuar ndjenja dhe virtyte të larta duke na ndriçuar ndërgjegjen dhe
lartësuar shpirtin.

Nesër është Fitër Bajrami dhe me këtë rast i uroj të gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë kudo
që ndodhen, gëzuar e për shumë vjet. Paqe, lumturi dhe harmoni sjelltë bajrami në familjet tuaja!
Fitër Bajrami është kurorëzimi i muajit të Ramazanit, është ftesa e shpalosjes së vlerave të fituara
në këtë muaj, është shpërblimi i sakrificës, është afrimi më shumë me Zotin. Bajrami është ditë
shprese, gëzimi dhe solidarizimi, është dita e manifestimit të vlerave dhe virtyteve që Ramazani i
ka rizgjuar tek njeriu, është dita e falënderimeve dhe dita e dashurisë.

Këtë muaj e përjetuam ndryshe nga Ramazanet e tjera, u privuam nga namazet e përbashkëta,
iftaret dhe festimet me të dashurit. Por falë Zotit ky Bajram vjen në një situatë më të përmirësuar.
Me këtë rast dua të falënderoj në mënyrë të veçantë të gjithë punonjësit e shëndetësisë, që
punuan me përkushtim për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e qytetarëve të prekur nga pandemia.
Në një hadith kudsi Allahu u drejtohet besimtarëve: “Për Mua agjëruat në muajin e Ramazanit
dhe sipas urdhërit tim falët namazin e bajramit. Kthehuni tani në shtëpitë tuaja të pastruar nga
gjynahet e të falur”.

Allahu ua pranoftë agjërimin, adhurimet dhe lutjet që kemi bërë gjatë këtij muaji të bekuar.
Të nderuar besimtarë, bajrami është festa e bashkimit, kështu që ta festojmë të gjithë bashkë. Të
kujdesemi për të afërmit, për njerëzit në nevojë, të qëndrojmë pranë tyre dhe të përpiqemi që kjo
festë të festohet nga të gjithë, çdo shpirt ta përjetojë gëzimin dhe madhështinë e kësaj feste.
Gjatë këtyre ditëve të mos mungojë vëmendja jonë ndaj familjes, fëmijëve, prindërve, të
moshuarve, të sëmurëve dhe shtresës në nevojë.

Është koha që edhe njëherë të reflektojmë fort mbi vlerat e vërteta të familjes, ta mbrojmë atë
nga çdo antivlerë që i kanoset asaj dhe të jemi shembull i familjes me virtytet e saj të

patjetërsueshme. Familja është e ardhmja e një kombi, ajo është qeliza e shoqërisë. Sa më e
shëndoshë të jetë familja aq më e ndritur do të jetë edhe e ardhmja kombit tonë.
Bajrami është festa e kënaqësisë së besimtarit e cila lind nga shpresa e përmbushjes së adhurimit
dhe përfitimit të faljes.

Le të shërbejë kjo festë për të larguar brengat, mëritë dhe hatërmbetjet. Të mbjellim virtytet e
dashurisë, mirësisë, vëllazërisë dhe miqësisë. Të flasim me gjuhën e shpirtit, të ndërtojmë ura
mirëkuptimi.

Zoti ju dhëntë mirësi e begati dhe ua pranoftë agjërimin e adhurimet që keni kryer gjatë muajit të
bekuar të Ramazanit!
Ti lutemi Allahut që kjo festë të jetë një sihariq për të larguar sëmundjet dhe fatkeqësitë.
Gëzuar nga zemra Fitër Bajramin!