Kryeministri Edi Rama ka falenderuar Belinda Ballukun për punën e bërë në krye të ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Në mbledhjen e grupit të PS, Rama u shpreh se Balluku, në betejën ligjore, do ketë në krah vetëm avokatët e saj.
Rama shtoi se e respekton pavarësinë e drejtësisë, por tha se nuk do të ngrejë kartonin në Kuvend, për heqjen e imunitetit të Ballukut.
“Mua nuk më intereson çfarë do thonë. Kur shoh bulevardin çfarë mban, e shoh me keqardhje tokën ku janë shtruar ato pllaka. Unë nuk kam më asgjë për t’i provuar vetes sime. Këtu jam akoma për të dhënë gjithçka që kam brenda vetes, që Shqipëria të mos humbasë mundësinë historike që kemi krijuar dh na është krijuar edhe për rrethana të tjera, për t’u bërë brenda kësaj dekade në BE. Ne po bëjmë histori. Është e rëndësishme që mos ta humbim për asnjë çast nga sytë. Nuk na lejohet të biem pre e presionit të 700 tenxhereve. Është e rëndësishme, të mos harrojmë se pa PS, si një skuadër që duhet të jetë në formë çdo ndeshje, me strategji të qartë, disiplinë të fortë në udhëheqjen e vendit, Shqipëria mund të kthehet mbrapa sa hap e mbyll sytë. Shumica dërrmuese e shqiptarëve, prandaj na votojnë masivisht. Shumica dërrmuese dinë se ne dhe vetëm ne jemi garantët e pavarësisë së drejtësisë.
Edhe sot si po i qasemi kërkesës së SPAK për arrestin e një deputeteje, po e provojmë. Nuk keni dëgjuar asnjë fjalë për hedhjen poshtë të hetimit, të bëjë avokatinë e Ballukut dhe të angazhojë për t’i vendosur një mur me presion, Unë e respektoj pavarësinë e prokurorit, edhe për të hetuar një bashkëpunëtore të ngushtë. E falenderoj Belindën për punën e madhe që ka bërë dhe i uroj fatin që meriton, në betejën ligjore që do ketë në krah vetëm avokatët e saj. I kërkoj ndjesë për tre refuzimet e dorëheqjeve të veta. I kam refuzuar sepse drejtësia, pushteti i pavarur gjyqësor u kuturis, pa ose me dashje, këtë do e mësojmë, po e mësova, do jua tregoj, në territorin e pavarësisë në territorin legjislativ dhe ekzekutiv. Pushteti buron nga vota e popullit. Për mua kjo është e patolerueshme”, theksoi ai./abcnews.al


