Vllaznia fitoi në Fier me Apoloninë dhe trajneri Thomas Brdaric normalisht është i kënaqur me triumfin dhe faktin që skuadra e tij shënoi 6 gola. Gjermani, në lidhjen direkte me emisionin “Gol pas Goli” në Supersport, fillimisht deklaroi:
“Kam respekt të madh për ekipin kundërshtar, nuk ishte një ndeshje e lehtë për asnjë nga skuadrat. Duhet të vazhdonim në këtë rrugë pas fitores me Laçin dhe jam shumë krenar për ekipin tim. Gjithçka shkoi mirë, faleminderit ekipit tim.
Nuk është rastësore ajo që po shpreh Vllaznia, kemi punuar për të ndërtuar një ekip dhe një klub. E meritojmë këtë renditje, por asgjë nuk ndodh pa punë të madhe. Jemi në formë të mirë, fryt i punës që është bërë gjatë gjithë sezonit.
Goli i Tim? Jemi profesionistë dhe ka raste që i fshehim emocionet tona. Tim e meritonte të luante sot, e ka treguar me punë dhe jam i kënaqur. Më pëlqeu qëndrimi i tij dhe i ekipit. I njoh cilësitë e tij, ai është mbrojtës, por sot tregoi se mund të shënojë, nuk e di se çfarë ndodhi që shkoi te porta kundërshtare.
Nesër e mbyllim kapitullin Apolonia dhe do të mendojmë për Skënderbeun, një ndeshje që duhet ta përgatisim shumë mirë. Jemi realistë, gjithmonë kemi qenë të tillë këtë sezon, të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe le ta përgatisim ndeshjen me respekt për kundërshtarin.
Kriza? E vërtetë, por nxorëm mësimet e duhura. Çdo ekip ka momentet e vështirë, por duhet të punosh fort dhe përmirësohesh. Punuam në çdo aspekt dhe detaj, e kaluam krizën me shpirt ekipi. Kemi punuar 5 muaj me shumë ritëm, por nuk kemi patur kushtet e duhura, kemi punuar edhe në kushte të vështira “, deklaroi trajneri i ekipit shkodran. /abcnews.al