Udhëheqësit dhe zyrtarët evropianë nuk presin që marrëdhëniet transatlantike të kthehen në gjendjen ku ishin para se zoti Donald Trump të zgjidhej president i SHBA, por parashikojnë një ngushtim të të çarave midis Amerikës dhe Evropës me zotin Joe Biden në Shtëpinë e Bardhë.
“Marrëdhëniet do të jenë më pak të acaruara dhe nuk do të na duhet të përballojmë komente presidenciale therrëse në Twitter, të shkruara me gërma të mëdha,” i tha Zërit të Amerikës një zyrtar i lartë gjerman. “Por ka edhe shumë gjëra që na ndajnë. Nuk është vetëm Amerika që ka ndryshuar, edhe Evropa ka ndryshuar”, shtoi ai.
Por zyrtari, i cili shërben si këshilltar i kancelares gjermane Angela Merkel dhe nuk është i autorizuar të komentojë për mediat, tha se ekziston pritshmëria për një qasje shumë më multilaterale nga Uashingtoni dhe një vendosmëri për të mbështetur kornizën ndërkombëtare të bazuar në rregulla për të cilat Shtetet e Bashkuara kanë luftuar prej kohe, shumë më përpara Presidentit Trump.
Riformatim i politikës së jashtme?
Presidenti Trump ka shprehur një mosbesim të përgjithshëm ndaj organizatave shumëpalëshe, duke u kthyer tek epoka e shteteve të fuqishme dhe të pavarura kombëtare që merreshin vesh me njëri tjetrin në mënyrë bilaterale sesa përmes organizatave ndërkombëtare. Zoti Biden pritet ta riformatojë politikën e jashtme të Presidentit Trump “Amerika e Para” dhe të prapësojë disa nga nismat e rëndësishme të ndërmarra nga zoti Trump.
Një numër zyrtarësh dhe analistësh evropianë me të cilët bisedoi Zëri i Amerikës thanë se ndryshimi më i madh që ata parashikojnë është toni dhe stili. Zoti Biden, thonë ata, nuk ka gjasa ta shohë diplomacinë si një lojë ku dikush ose humbet ose fiton. Ata e shohin zotin Biden si një president të ardhshëm që do të jetë më pro-marrëdhënieve transatlantike që nga George Bushi i vjetër. Por ata paralajmërojnë se politika ndaj Kinës mund t’i ndajë dy kontinentet dhe se Uashingtoni ka të ngjarë ta ruajë presionin ndaj anëtarëve evropianë të NATO-s që ata të shtojnë shpenzimet e tyre të mbrojtjes.
Ata parashikojnë gjithashtu mosmarrëveshje të mëtejshme mbi çështjet tregtare, duke përfshirë subvencionet për prodhuesit e avionëve Airbus dhe Boeing. Si SHBA ashtu edhe Evropa i janë kthyer proteksionizmit në tregti.
Zoti Biden tha muajin e kaluar se “Amerika e Para e ka bërë Amerikën të Vetmuar”, por ai u zotua për të shmangur çdo marrëveshje të re tregtare “derisa të kemi bërë investime të mëdha këtu në vendin tonë, tek punëtorët tanë dhe komunitetet tona.”
Ky mund të jetë një lajm i keq për Britaninë, e cila mezi pret një marrëveshje të tregtisë së lirë me SHBA për të kompensuar humbjet tregtare të shkaktuara nga Brexit-i.
Plani i zotit Biden përfshin 300 miliardë dollarë shpenzime publike për të rritur kërkimin shkencor në Shtetet e Bashkuara dhe një shtesë prej 400 miliardë dollarësh për një program prokurimi të qeverisë të quajtur “Buy American” (“Blini mallra amerikane”).
Evropianët, gjithashtu, po bëhen më proteksionistë ndërsa luftojnë me ndikimin ekonomik të pandemisë së koronavirusit; ata po mbështeten në subvencione gjithnjë e më të mëdha të shtetit për biznesin. Edhe para pandemisë udhëheqësit e BE-së flisnin për rritjen e subvensioneve shtetërore për të konkurruar me firmat amerikane dhe kineze.
David McAllister, kryetar i komisionit të punëve të jashtme të Parlamentit Evropian, gjykon se nuk ka ndryshime të mëdha në kërkesat që një administratë Biden ka të ngjarë t’i bëjë Evropës nga ato të bëra nga administrata Trump. Se si do të shtrohen kërkesat kjo do të ndryshojë, me buzëqeshje më miqësore. Por do të marrë fund inkurajimi i populistëve euro-skeptikë të kontinentit nga Shtëpia e Bardhë.
Zoti Biden përfaqëson vlerat e diplomacisë tradicionale amerikane të pas vitit 1945 dhe tashmë e ka bërë të qartë se do të kërkojë të riparojë lidhjet e dobëta me aleatët evropianë. Ai theksoi gjatë fushatës se me të ardhur në Shtëpinë e Bardhë, do të rikthejë financimin e SHBA për Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe do t’i bashkohet përsëri marrëveshjes së Parisit për klimën.
“Presidenti Biden do të jetë shumë më i qetë. Shumë më reflektues,” parashikon ish-diplomati britanik Peter Ricketts. “Ai do të jetë i parashikueshëm,” shtoi ai në një intervistë me një stacion britanik.
Por ka shumë çështje që do të vazhdojnë t’i ndajnë SHBA dhe Evropën, thotë Hans Kundnani i institutit Chatham House të Britanisë. Ai mendon se jo gjithçka do të kthehet sikurse ishte para Presidentit Trump; si Amerika ashtu edhe Evropa kanë ndryshuar në katër vitet e fundit, sepse kanë ndodhur ndryshime strukturore. Ai e shikon çështjen e Kinës si një gjemb bezdisës në marrëdhëniet ndëratlantike.
NATO
“Shtetet e Bashkuara janë gjithnjë e më shumë nën presion për t’i kushtuar më shumë burime rajonit të Paqësorit. Kjo do të thotë se debatet që janë zhvilluar në dekadat e fundit për ndarjen më të madhe të barrës, pra që evropianët të marrin përgjegjësi më të madhe për sigurinë e tyre, do të bëhen shumë më të mprehta”, i tha zoti Kundnani Zërit të Amerikës.
Edhe para se të zgjidhej Presidenti Trump, në Uashington ekzistonte një konsensus dypartiak se Evropa duhet të merrte më shumë përgjegjësi për sigurinë e saj. Sidoqoftë, zoti Biden nuk është përfshirë në ngritjen e pikëpyetjeve për vetë vlerën e paktit të mbrojtjes transatlantike, për të cilën Presidenti Trump ka folur mjaft në takimet e ndezura me udhëheqësit evropianë dhe përmes komenteve në Twitter. Por hezitimi evropian për të ndihmuar në ribalancimin e NATO-s ka të ngjarë të mbetet një burim tensioni, parashikojnë zyrtarët dhe analistët.
Dallimet në lidhje me mënyrën e trajtimit të Kinës ka të ngjarë të shkojnë përtej çështjes së barrës evropiane për mbrojtjen, thotë analisti Kundnani.
“Unë mendoj se marrëdhëniet ekonomike që vendet evropiane kanë me Kinën, dhe këtu e kam fjalën sidomos për Gjermaninë, do të bëhen gjithashtu një problem i vërtetë në marrëdhëniet transatlantike,” thotë ai. Një administratë Biden do të “mbajë presionin mbi evropianët që të shkëputen në thelb nga ekonomia kineze. Dhe mendoj se do të ketë shumë rezistencë ndaj kësaj në vende si Gjermania. Mendoj se Evropa kontinentale dhe Bashkimi Evropian do ta shohin atë si një lloj shkeljeje të sovranitetit evropian”, shton ai.
Megjithatë jo të gjithë zyrtarët dhe analistët me të cilët foli Zëri i Amerikës pajtohen. Qëndrimi i Evropës ndaj Kinës po ndryshon, thotë Christopher Skaluba i Këshillit Atlantik, me bazë në Nju Jork. Ai thotë se ka pasur një ndryshim në të menduarit evropian që është përshpejtuar që nga shpërthimi i pandemisë së koronavirusit.
“Nuk ka aq shumë rezistencë sa mund të pritej dhe ka një konsensus të gjerë në Evropë për nevojën se diçka duhet bërë”, thotë Skaluba, i cili ka qenë drejtori kryesor për Politikën Evropiane dhe NATO-n në Pentagon.
Ai thotë se alarmi evropian për Kinën është rritur, pjesërisht falë diplomacisë agresive të Pekinit. Rreziqet e sigurisë së përdorimit të teknologjisë kineze në zhvillimin e rrjeteve pa tel 5G në kontinent tani po kuptohen më mirë. Po ashtu edhe rreziku që paraqet për fuqitë demokratike perëndimore një rival jo-demokratik, i cili krijon një avantazh kur bëhet fjalë për teknologjinë në tërësi.
Diplomatët perëndimorë parashikojnë privatisht se një administratë Biden mund të mos përputhet krejtësisht me Evropën në marrëdhëniet me Rusinë ose Iranin. Për këtë të fundit Bideni ka sinjalizuar se ai dëshiron të ribashkohet me marrëveshjen bërthamore për Iranin nga e cila u largua Presidenti Trump, nëse Teherani u përmbahet kushteve të saj. Por disa diplomatë perëndimorë dyshojnë se marrëveshja me Iranin mund të ristrukturohet në atë mënyrë që të kënaqë Uashingtonin ose një Senat të kontrolluar nga republikanët.
Si të frenohet politika e jashtme ekspansioniste e Kremlinit? Kjo mund të jetë veçanërisht sfiduese, thonë analistët dhe diplomatët, dhe jo vetëm për shkak të një përçarjeje midis Uashingtonit dhe Evropës, por edhe për shkak të ndryshimeve të mprehta midis evropianëve qendrorë dhe atyre perëndimorë. /VOA/