“Europa e sëmurë”, ambasadorja franceze i përgjigjet Edi Ramës në “Log.”: Ja pse ideja e tij nuk është e vërtetë

schedule23:03 - 7 Korrik, 2022

schedule 23:03 - 7 Korrik, 2022

Ambasadorja e Francës në Shqipëri Elisabeth Barsacq në një intervistë ekskluzive për emisionin “Log.”, është ndaluar tek zhvillimet në Europë dhe luftën që po zhvillohet në kontinentin e vjetër.

Shqipëria është rreshtuar 100% kundër Rusisë dhe krah Bashkimit Europian në këtë “luftë” të re në kontinent, por ka vende në rajon si Serbia që nuk i ka hequr sanksionet ndaj Rusisë e cili prej muajsh ka sulmuar ushtarakisht Ukrainën duke shkaktuar një krizë të thellë në të gjithë botën.

Por a bezdis ky fakt Francën? Ambasadorja Barsacq u shpreh se presionet e Francës do të jenë të përhershme ndaj secilit që nuk i adapton sanskionet.

Gazetari Endri Xhafo, e ka pyetur ambasadoren për faktin se Kryeministri shqiptar Edi Rama kërkoi, nga Brukseli, që Serbia të kuptohej, që mbi të të mos ushtrohej presion, në mënyrë që Serbia të mos devijojë nga rruga europiane. A është dakord ambasadorja me këtë?

“Roli im nuk është të bëjë ekzegjezë, intepretim teksti të asaj që thotë zoti Rama,” u shpreh ambasadorja.

PJESË NGA INTERVISTA

Endri XHAFO – Pikërisht. Shqipëria është e rreshtuar 100%. Serbia nga ana tjetër, një vend kandidat për në Bashkimin europia, nuk i ndoqi sanksionet europiane. A e bezdis sadopak Francën kjo gjë? A i bëri në ndonjë moment presion Serbisë, Presidenca franceze e Bashkimit europian, që Serbia të rreshtohej me politikën europiane?

Elisabeth BARSACQ – Atëherë, presionet janë të përhershme ndaj njërit dhe tjetrit, mbi këdo që nuk i ka adoptuar sanksionet. Ju përmendni Serbinë, por ka shumë vende që nuk i kanë adoptuar sanksionet. Dhe vende të rëndësishëm. Dhe vende që as e kanë dënuar agresionin. Mendoj veçanërisht për Indinë, për Kinën. Pra, Serbia, që të kthehemi…

Endri XHAFO – …Por që nuk janë kandidatë në Bashkimin europian.

Elisabeth BARSACQ –Po, por Kina është megjithatë anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit. Eshtë e vërtetë që nuk janë kandidatë në Bashkimin europian, por kanë marrëdhënie mjaft të qenësishme me Bashkimin europian; kam parasysh këtu Indinë. Presionet aty janë, ushtrohen, por nuk është aq presidenca e Këshillit të Bashkimit europian ajo që i ushtron, sesa Bashkimi europian si grup, në formatin “Këshill europian”.

Endri XHAFO – Kryeministri shqiptar Edi Rama kërkoi, madje nga Brukseli, që Serbia të kuptohej, që mbi të të mos ushtrohej presion, në mënyrë që Serbia të mos devijojë nga rruga europiane. A jeni dakord me këtë?

Elisabeth BARSACQ –Roli im nuk është të bëjë ekzegjezë, intepretim teksti të asaj që thotë zoti Rama.

Endri XHAFO – Ok, po e riformuloj pyetjen: A duhet me qenë të mëshirshëm me Serbinë?

Elisabeth BARSACQ – Të mëshirshëm? Serbia nuk ka të njëjtën histori si të gjitha vendet. Ne nuk jemi… nuk e shohim Serbinë siç shohim Shqipërinë, siç shohim Suedinë, apo siç shohim Republikën Çeke. Por i marr sipas presidencës aktuale dhe asaj pasardhëse të Bashkimit europian. Çështja nuk është me qenë të mëshirshëm. Sepse, ç’do të thotë “të jesh i mëshirshëm” në termat e politikës së jashtme?

Endri XHAFO – Ta mirëkuptosh, në këtë rast, që nuk ndjek sanksionet europiane, për shkak të lidhjeve specifike, speciale, historike, madje shpirtërore me Rusinë?

Elisabeth BARSACQ – Po ndoshta kjo do të thotë që duhet të përpiqemi të kuptojmë pse nuk i adoptuan sanksionet, për të gjetur mjetet që do t’i bëjnë ata t’i adoptojnë. Dhe kam përshtypjen se është më shumë ky procesi që ne favorizojmë.

Ambasadorja Barsacq u pyet edhe për gjuhen e kryeministrit Rama nga Brukseli i cili tha se Bashkimi Europian është sëmurë. Barsacq u shpreh se ai është i lirë të thotë gjërat që do, por situata nuk është keq sipas saj në BE pasi, të 27 vendet gjetën gjuhën e përbashkët për të ndaluar gazin rus në një moment delikat.

Endri XHAFO – A u ndje Franca e bezdisur nga gjuha e kryeministrit shqiptar Edi Rama në raport me Europën? Ai tha, –për të mos cituar veçse një nga shprehjet e tij, – “Putini mund të jetë sëmurë ose jo, por as Bashkimi europian nuk gëzon shëndet të plotë”.

Elisabeth BARSACQ – Shikoni, e kujtoj shumë mirë shprehjen që u tha në atë moment, – ishte gjatë konferencës së shtypit që pasoi takimin e gjashtë vendeve të Ballkanit perëndimor me njëzet e shtatë anëtarët e Bashkimit europian…

Endri XHAFO – E përsëriti gjithashtu në Austri…

Elisabeth BARSACQ – E përsëriti gjithashtu në Austri… Shikoni, këto janë shprehjet e tij, është i lirë… Unë mendoj që kur keni njëzet e shtatë vende anëtare, – që nuk janë pak, – që me vullnet të njëjtë miratojnë sanksione ndaj Rusisë dhe pranojnë që në fund t’u mbyllet rubineti i gazit dhe thonë “ok, po ndalojmë edhe naftën ruse”, unë mendoj që situata nuk është edhe kaq e keqe.

Endri XHAFO – E tha në një kontekst tjetër. E tha në kontekstin e refuzimit bullgar për të hequr veton ndaj RMV, deri në atë pikë sa MPJ e Bullgarisë tha, po e citoj: “Nuk është hera e parë që ne dëgjojmë cilësime të rënda dhe fyese të paprovokuara… Insinuatat e mbrapshta në një regjistër kaq të ulët gjuhësor nuk mund të justifikohen më me tiparet e karakterit dhe mungesën e aftësive europiane të komunikimit”, etj.etj.

Elisabeth BARSACQ – Atëherë, nuk do të futem në një debat mbi marrëdhëniet bullgaro-shqiptare. Ky nuk është roli im. Plus që nga ai moment rezulton se bullgarët e kanë hequr veton, – e dini besoj, – pra nuk dua të futem në vlerësime përcaktuese të tipit “kush tha çfarë” apo “kush bën çfarë”.

Endri XHAO – E kuptoj. Ajo që doja të thoja është nëse zoti Rama është i ashpër me Europën?

Elisabeth BARSACQ – A është i ashpër? Eshtë një çështje e komplikuar. Sepse edhe njëherë, a mund të jemi të ashpër apo të butë… Pak më parë ju folët për të qenit “të mëshirshëm” në raport me Serbinë. Mendoj që janë çështje që nuk hyjnë në kategoritë e politikës ndërkombëtare, janë më së shumti kategorizime që lidhen me emocionalen dhe psikologjiken, nuk lidhen me marrëdhëniet mes shteteve.

Endri XHAFO – OK. Kur do ta kemi konferencën e parë ndërqeveritare?

Elisabeth BARSACQ – Ndoshta shumë shpejt. Shumë shpejt.

Endri XHAFO – Ok. Ishallah.

Elisabeth BARSACQ – Ishallah.  /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!