Portali i lajmeve me bazë në Bruksel, “Eureporter” i ka kushtuar një artikull të gjatë vizitës së kryeministrit Edi Rama në kryeqendrën Europiane. Kjo media thekson se shefi i qeverisë ndodhet në Bruksel për t’i dhënë një shtysë të re fillimit formal të negociatave të pranimit me BE.
Në artikullin e “Eureporter” vihet në pah fakti që para se të largohej nga Tirana, Rama kishte pretendime se fushata negative e liderit të opozitës shqiptare kundër qeverisë mund të komplikonte bisedimet e tij me zyrtarët e lartë të Unionit.
“Që nga fillimi i këtij viti, udhëheqësi i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka pretenduar se Rama dhe partia e tij fshihen pas trafikantëve shqiptarë të drogës”, theksohet në shkrimin e portalit të Brukselit. Duke sjellë në vëmendje letrën që kryeministri shqiptar u dërgoi 28 liderëve qeveritarë të vendeve te BE-së, Eureporter shkruan se Basha nuk i mbështet pretendimet e tij me prova.
Duke cituar Birn, Eureporter shkruan edhe për hetimin që është hapur kundër Partisë Demokratike nga Prokuroria e Tiranës lidhur me një kontratë lobimi me kompani amerikane. Gjithashtu thekson se “lobistëve, të lidhur të gjithë me Partinë Republikane amerikane, u janë ofruar kontrata me vlerë deri në 1 milion dollarë”. “Këto para janë kaluar nëpër entitete offshore dhe nuk u regjistruan si shpenzime partiake, sipas ligjit zgjedhor të Shqipërisë”, shkruhet në artikullin e Eureporter.
Për foton e Bashës me presidentin amerikan, Donald Trump, kjo media shkruan se fondet kanë ardhur nga një biznesmen turk, mik i liderit të opozitës shqiptare, i cili implikoi ish-këshilltarin e sigurimit kombëtar të presidentit Trump, Michael Flynn.
Sipas portalit europian, lufta e brendshme politike në Tiranë mund të ndikojë negativisht në vizitën e Ramës në Bruksel, ku ai do të thotë se vendi po bën përparim në reformat e kërkuara nga BE për të filluar zyrtarisht bisedimet e anëtarësimit. Gjithashtu në shkrim pasqyrohen edhe komentet e mira të zyrtarëve të lartë të BE-së lidhur me përparimin e Shqipërisë në rrugën drejt integrimit./abcnews.al
https://youtu.be/g-gGJBKHd5Q