Etilda Gjonaj i dorëzon Arta Markut, rekomandimet e qeverisë

schedule11:53 - 13 Maj, 2019

schedule 11:53 - 13 Maj, 2019

Nuk është koha vetëm për t’i lavdëruar por edhe për tu kujtuar se duhet ti mbyllin më shpejt proceset hetimore. Ministrja e drejtësisë Etilda Gjonaj ia renditi dobësitë prokurorëve në ditën e dhënies së Rekomandimet e Këshillit të Ministrave për vitin 2019 duke i kujtuar se nga të dhënat për vitin 2018, rezulton se ka një ulje të numrit të personave nën hetim pavarësisht rritjes së numrit të çështjeve të korrupsionit në krahasim me vitin 2017.

Gjonaj: “Por ajo që përbën shqetësim dhe jam e bindur që bashkohemi në këtë çështje është pikërisht dërgimi për gjykim i një numri të vogël të procedimeve penale, rreth 8.6%  të numrit total të çështjeve të regjistruara. Dhe në krahasim kjo edhe me vitin 2017 konstatohet një rënie e numrit të çështjeve me 112 çështje më pak.

Gjithashtu për vitin 2018 vihet re se numri i përgjithshëm i veprave penale të referuara dhe kallëzuara është 46892, nga të cilat vetëm 109 janë vepra penale të filluara kryesisht nga Prokurori, ose rreth 0,23% e numrit të përgjithshëm. Nga këto vetëm 20% janë të filluara kryesisht për veprat penale në fushën e korrupsionit”.

Më shumë kërkoi ministrja Gjonaj në luftën kundër kriminalitetit.

Gjonaj: “Do të duhet që të bëhen përpjekje nga prokurorët për përmirësimin cilësisë së hetimeve me qëllim suksesin e kërkesave të prokurorit në gjykatë pasi vihet re që një numër i ulët procedimesh përfundojnë me dënime nga gjykata”.

Rezultate konkrete e në rritje kërkon edhe në luftën kundër korrupsionit e në atë  ndaj pastrimit të parave dhe personave të përfshirë në këtë aktivitet. Duke u kujtuar se fushata është në prag, ministrja e drejtësisë kërkon hetime më të shpejta ndaj atyre që cenojnë zgjedhjet elektorale.

Gjonaj: “Duke mbajtur në konsideratë numrin e pakët të procedimeve penale të regjistruara për veprimet që cenojnë rendin kushtetues ose zgjedhjet elektorale, rekomandohet kryerja e hetimeve të shpejta, efektive, dhe ashpërsim të dënimit për veprat penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve me qëllim ruajtjen e rendit kushtetues”.

Për të gjitha këto mori aprovimin e prokurores së përgjithshme të përkohshme që zgjodhi ta thotë thjeshtë e Shkurt./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!